Inspektorati Policor i Kosovës i propozoi Policisë së Kosovës pezullimin nga detyra të një zyrtari policor të angazhuar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Prishtinë.
Sipas IPK-së, ndaj këtij zyrtari janë duke u zhvilluar hetime mbi dyshimet për përfshirje në veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”. Rasti, pas konsultimeve me prokurorin kompetent, pritet të trajtohet në procedurë të rregullt.
“Fillimisht hetimet lidhur me këtë rast janë filluar nga Policia e Kosovës kurse pas dyshimeve për përfshirjen si të dyshuar edhe të një zyrtari policor, bazuar në fushëveprimin ligjor janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim dhe priten veprime të tjera për zbulimin e plotë të rastit.
