Kosovë Lajme

KESCO vendos 16 kuti sensibilizuese në kuadër të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore!

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, KESCO ka realizuar një aktivitet simbolik sensibilizues, duke vendosur 16 kuti portokalli me mesazhe kundër dhunës në hapësirat e kompanisë.

Aktiviteti synon të përcjellë mesazhe të vetëdijesimit, solidaritetit dhe guximit për të reaguar, duke rikujtuar se dhuna nuk duhet të heshtet, të arsyetohet apo të normalizohet. Në njërën prej kutive, Zëvendësdrejtoresha Ekzekutive e KESCO-s, Rudina Heroi Puka, ka shkruar mesazhin e saj kundër dhunës, duke u bërë pjesë e kësaj thirrjeje për një shoqëri më të sigurt dhe më të barabartë.

Rudina Heroi Puka, Zëvendësdrejtoresha Ekzekutive e KESCO-s, tha:

“Asnjë grua nuk duhet të ndihet e vetme, e pambrojtur apo e detyruar të heshtë përballë dhunës. Të flasësh dhe të kërkosh ndihmë është akt guximi, ndërsa përgjegjësia për të mos e toleruar dhunën është e të gjithëve ne. Gratë meritojnë të jetojnë të lira, me dinjitet, siguri dhe respekt, dhe ne duhet të jemi një shoqëri që u beson, i mbështet dhe u qëndron pranë.”

Përmes këtij aktiviteti, KESCO riafirmon përkushtimin e saj ndaj komunitetit dhe mbështet iniciativat që promovojnë solidaritetin, respektin, barazinë dhe mirëqenien shoqërore.

KESCO u bën thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë dhunës, të reagojnë kur e dëshmojnë dhe të raportojnë rastet, sepse çdo reagim ka rëndësi dhe çdo zë mund të bëjë ndryshimin.

Mos hesht. Mos e normalizo. Raportoje dhunën!