Kosovë Lajme Politikë

Debat në Kuvend për orientimin seksual mes Kurtit dhe Rrahmanit!

Debat është zhvilluar në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë pikës së pyetjeve parlamentare, ndërmjet deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Deputeti Rrahmani ngriti çështjen e përfshirjes së temave që lidhen me orientimin seksual dhe gjininë në shkolla, duke kërkuar nga kryeministri sqarime për atë që, sipas tij, ishte paraqitur si një prej të arriturave të Qeverisë në fushën e arsimit.

Para se ta parashtronte pyetjen, Rrahmani kërkoi që të respektohej Rregullorja e Kuvendit dhe të mos i mohohej e drejta për të bërë pyetje dhe për të diskutuar çështjet që ai i konsideron të rëndësishme.

“Ashtu siç edhe në pyetjet parlamentare, kam qenë shumë i saktë në gjuhën parlamentare, për çka jam akuzuar prej jush, duke lexuar ligje e projektligje të ardhura në këtë Kuvend, edhe këto që po i diskutoj janë diskutime dhe çështje që kanë të bëjnë me dokumentet dhe angazhimet të cilat janë diskutuar dhe janë po projekte të Kuvendit. Dhe kërkoj që të mos shkelet Rregullorja dhe të mos mohohet e drejta si deputet edhe për të bërë pyetje, edhe për të diskutuar rreth tyre”, tha Rrahmani.

Më pas, deputeti i PDK-së iu drejtua kryeministrit Kurti duke rikujtuar ekspozenë e tij për punën katërvjeçare të Qeverisë, në të cilën, sipas Rrahmanit, përfshirja e mësimit për orientimet seksuale në shkolla ishte paraqitur si një prej sukseseve në arsim.

“Kryeministër në ekspozenë për punën tuaj katërvjeçare, nëse e mbani mend, ndër sukseset në arsim keni paraqitur edhe përfshirjen e mësimit për orientimet seksuale në shkolla. Ju e konsideroni arritje kryesore në fakt në arsim që fëmijëve t’u paraqitet si vlerë civilizuese ideja se njeriu mund të zgjedhë gjininë dhe të martohet me kë të dëshirojë, përfshirë me një person të të njëjtës gjini”, deklaroi Rrahmani.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Albin Kurti tha se çështja e doracakut, e cila ishte diskutuar edhe më herët, ishte sqaruar nga ana e tij dhe se nuk kishte diçka të re për të shtuar.

“E mbaj mend shumë mirë që pat bërë një diskutim të gjatë për një të ashtuquajtur skandal për një doracak, të cilin unë e kam sqaruar tashmë. E kam sqaruar me një video-adresim në vitin 2024 dhe nuk kam çfarë të shtoj të re asaj. Ndërkaq, meqenëse ju kërkoni sqarime për arritjet, dua t’ju them që disa nga këto i kam theksuar edhe në seancën e 2 dhjetorit 2024, kur kam raportuar në Kuvend para deputetëve për katërvjeçarin e qeverisë”, tha Kurti.

Ai përmendi si një prej të arriturave arsimin publik pa pagesë, duke thënë se mbi 173 mijë studentë në nivelin bachelor dhe master janë liruar nga pagesat.

“Arsimin publik pa pagesë, për herë të parë mbi 173,000 studentë në nivelin bachelor dhe master janë liruar nga pagesat, ndërkohë që janë ndarë miliona euro mbështetje dhe bursa, veçanërisht për vajzat, për shkencë, teknologji, inxhinieri edhe matematikë apo STEM”, deklaroi kryeministri.

Kurti foli edhe për numrin e bursave të ndara gjatë mandatit të tij të dytë qeverisës, duke dhënë shifra për mbështetjen e studentëve dhe përfshirjen e grave në fushat shkencore.

“Dikund në mandatin Kurti 2, qysh njihet në mënyrë të popullarizuar, janë ndarë 18,000 bursa, 20 milionë euro dhe rreth 40 për qind të bursave janë pikërisht për STEM dhe aty 90 për qind janë për gra dhe për vajza”, tha ai.

Në vazhdim, kryeministri përmendi edhe mbështetjen për fëmijët me nevoja të veçanta, rritjen e numrit të fëmijëve në çerdhe dhe bursat për nxënësit nga komunitetet.

“Pastaj kemi mbështetjen e hershme dhe gjithëpërfshirëse, rritja e numrit të fëmijëve në çerdhe për 33 për qind, shtimi i qindra asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta, si dhe bursa të dedikuara për nxënësit nga komunitetet”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi gjithashtu se fëmijët dhe nënat lehonë kanë përfituar shtesa të rregullta financiare nga shteti, duke e cilësuar këtë si një prej politikave të rëndësishme të Qeverisë.

“Lehtësira për familjen, për herë të parë pas luftës fëmijët tanë dhe nënat lehonë përfitojnë shtesa të rregullta financiare nga shteti. Po e ritheksoj, nëse ka ndonjë qeveri që ka bërë shumë për familjen, është pikërisht kjo. E tash në këtë mandat e kemi familjen edhe në kuadër të një ministrie në mënyrë të posaçme, Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare”, deklaroi kryeministri.

Duke iu rikthyer temës së ngritur nga Rrahmani, Kurti tha se të arriturat në arsim janë paraqitur edhe në dokumentin e publikuar nga ai, duke iu referuar faqeve 20 dhe 21. Ai kritikoi deputetin e PDK-së për rikthimin e vazhdueshëm të së njëjtës çështje në forma të ndryshme.

“Kur jemi te të arriturat, ajo që kam publikuar dje për arsimin ka shumë suksese aty, që mund t’i gjeni në faqen 20 dhe 21. Po unë e kuptoj, por nuk mund të them që e mirëkuptoj rikthimin e variacioneve të ndryshme të së njëjtës temë që ju e bëni vazhdimisht. Nuk ka çështje të paadresuara deri më tani”, tha Kurti.

Ai shtoi se Qeveria synon që fëmijët të edukohen dhe të informohen si për vlerat tradicionale, ashtu edhe për zhvillimet bashkëkohore, duke theksuar mbrojtjen e tyre nga cenimet dhe rreziqet e ndryshme.

“Ne dëshirojmë që fëmijët të jenë të edukuar, të jenë të informuar me vlerat tona edhe tradicionale të gjuhës e të kulturës sonë, por në anën tjetër edhe me trendet bashkëkohore, duke i mbrojtur fëmijët nga cenimet dhe rreziqet e ndryshme që mund t’u vijnë. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë ofertash apo imponimesh fëmijëve, siç jemi akuzuar”, u shpreh kryeministri.

Megjithatë, përgjigjja e Kurtit u shoqërua edhe me një koment të drejtpërdrejtë ndaj deputetit Rrahmani, duke iu referuar temës që ky i fundit e kishte ngritur në Kuvend.

“Këtu ka shumë gjëra, por unë e kuptoj, edhe një herë po e ritheksoj, që nuk e mirëkuptoj që ju e risjellni edhe një variant tjetër të së njëjtës temë, gjithmonë seksi, gjinia, orientimi seksual. Provoni ndoshta ta punoni mendjen diku tjetër”, tha Kurti.