Kosovë Lajme Politikë

Haxhiu: Jemi pranë krerëve të UÇK-së që edhe këtë nëntor po mbahen në Hagë, vendi i tyre është në Kosovë!

Kuvendi i Kosovës e ka nisur seancën e sotme me përkujtimin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skënderajt.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, në prag të 29-vjetorit të kësaj ngjarjeje, ka kujtuar sakrificën për liri, ndërsa ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë për krime lufte.

Ajo tha se dalja e UÇK-së në varrimin e Halit Gecit ngjalli besimin se liria mund të fitohej, ndërsa shtoi se kjo u arrit përmes gjakut dhe sakrificës së mijëra njerëzve.

“Dhe teksa kujtojmë këto ngjarje, jemi pranë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo shtoi se vendi i tyre është në Kosovë dhe se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për lirimin e tyre.

“Ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe ata të lirohen sa më parë”, tha kryeparlamentarja.