Kosovë Lajme

Prokuroria dhe Policia në Pejë koordinohen për zbardhjen e vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës!

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia Rajonale kanë diskutuar për intensifikimin e hetimeve lidhur me vrasjet e pazgjidhura të pasluftës, me qëllim identifikimin e kryerësve dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Ushtruesja e Detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, së bashku me prokurorët e Departamentit për Krime të Rënda, ka zhvilluar një takim me drejtorin e ri të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, Faton Alija, dhe përfaqësuesit e zinxhirit komandues të policisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Pejë, temë kryesore e takimit ishte trajtimi dhe zbardhja e rasteve të vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës, të cilat kanë ndodhur në territorin që mbulohet nga kjo prokurori.

Gjatë takimit, Disha-Haxhosaj kërkoi nga prokurorët dhe zyrtarët policorë që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional, në mënyrë që të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e këtyre vrasjeve.

Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet prokurorëve dhe hetuesve policorë, si dhe trajtimin me seriozitet të çdo informacioni dhe prove që mund të ndihmojë në zbardhjen e rasteve.

Prokuroria u ka bërë thirrje edhe qytetarëve, familjarëve të viktimave dhe personave të tjerë që posedojnë informacione relevante, që t’i ndajnë ato me institucionet e drejtësisë dhe Policinë e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Pejë ka ritheksuar përkushtimin për ndërmarrjen e veprimeve ligjore dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera, me synimin që rastet e pazgjidhura të marrin epilog dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.