Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka nisur edhe ditën e tretë të qëndrimit të tij në Kosovë, në vizitë te familja e tij në Velani të Prishtinës.
Kjo vizitë i është mundësuar Krasniqit nga Dhomat e Specializuara për arsye humanitare, pasi siç është mësuar, bashkëshortja e tij Sevdija është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sikurse në dy ditët paraprake, Krasniqi ka mbërritur te shtëpia e tij nën shoqërimin e forcave të EULEX-it, ku është pritur nga familjarët e tij.
Në dy ditët e para të kësaj vizite, Krasniqi ka qëndruar gjatë ditës pranë familjes, nën masa të rrepta sigurie dhe përcjellje të EULEX-it.
E në mbrëmje, ai është dërguar në objektet e EULEX-it në Prishtinë.
Sipas raportimeve, vizita e Krasniqit në Kosovë pritet të zgjasë gjithsej 4 ditë.
E siç ka raportuar gazetarja e Klan Kosova gjatë ditës së djeshme, ish-kryetarit të Kuvendit qëndrimi në Kosovë do t’i përfundojë të shtunën në orën 14:00, kur nga shtëpia e tij në Velani, do të niset drejt aeroportit për t’u rikthyer në Hagë.
