Kosovë Lajme

17 punëtorë të vdekur në KEK gjatë vitit 2026, sindikata paralajmëron vazhdimin e grevës!

Nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën 17 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në një intervistë, Llumnica ka deklaruar se katër nga punëtorët kanë vdekur si pasojë e aksidenteve fatale në vendin e punës, ndërsa për 13 të tjerët dyshohet se vdekja mund të jetë e lidhur me sëmundjet profesionale, të shkaktuara nga ekspozimi ndaj gazrave helmues, pluhurit dhe kushteve të rënda të punës.

“Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës gjithmonë janë të rrezikuar, edhe në shëndet edhe në punë, sepse natyra e punës është e vështirë. Vetëm gjatë vitit 2026 kemi pasur 17 punëtorë të cilët kanë vdekur. Katër prej tyre kanë qenë në aksidente fatale, ndërsa për 13 të tjerë ne mendojmë se kanë vdekur nga sëmundjet profesionale, duke u bazuar në gazrat helmues, pluhurin dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e tyre si pasojë e procesit të punës”, ka deklaruar Llumnica.

Ai ka theksuar se, pavarësisht rrezikshmërisë së lartë dhe kushteve të vështira në të cilat punojnë, pagat e punëtorëve të KEK-ut nuk janë të kënaqshme.

Llumnica ka bërë të ditur se pas protestës së mbajtur javën e kaluar, të mërkurën kanë zhvilluar negociata me bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut. Sipas tij, drejtuesit e korporatës kanë kërkuar dy deri në tri ditë kohë për t’i shqyrtuar kërkesat e punëtorëve dhe për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut.

Ai ka paralajmëruar se, nëse nuk marrin përgjigje pozitive, protesta dhe greva e paralajmëruar do të vazhdojnë.

“Për këtë arsye në KEK gjithmonë ekziston një rrezik, gjithmonë ekzistojnë kushte të vështira, mirëpo pagat nuk janë të kënaqshme. Për këtë arsye ne kemi vendosur dhe kemi protestuar në javën e kaluar, ndërsa kemi pasur negociata me bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut, të cilët kanë kërkuar një kohë prej dy-tri ditësh, në mënyrë që të dialogojmë hapur dhe të krijojmë mundësi që të ketë një përgjigje pozitive për punëtorët. Në rast se nuk ka një përgjigje pozitive, ne protestën dhe grevën e paralajmëruar do ta vazhdojmë”, ka thënë Llumnica.

Ndër kërkesat kryesore të punëtorëve janë rritja e pagave dhe sigurimi i pagës së 13-të, njësoj si për punëtorët e sektorit publik.

Sipas Llumnicës, është e pakuptimtë që punëtorët e KEK-ut të mos përfitojnë nga paga e 13-të, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e punës së tyre dhe rëndësinë e shërbimit që ofrojnë për vendin.

Ai ka shtuar se punëtorët ndihen të diskriminuar, pasi, sipas tij, rreth 30 milionë euro janë rialokuar nga ndërmarrjet publike për të mbuluar pagesën e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, ndërsa KEK-u nuk ka përfituar nga ky proces për punëtorët e vet.

“Ne kemi kërkuar ngritjen e pagave dhe pagën e 13-të, ashtu siç e kanë marrë i gjithë sektori publik. Është e pakuptimtë që punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës të mos e marrin pagën e 13-të, duke u bazuar në kushtet e tyre, në prodhimin e një shërbimi jetik dhe në rrezikshmërinë e punës së tyre. Ne nuk jemi kundër sektorit publik, por kemi parë një rialokim të buxhetit, ku flitet për 30 milionë euro që u janë marrë ndërmarrjeve publike për t’ua paguar pagat e 13-ta punëtorëve të sektorit publik, ndërsa këto ndërmarrje, në këtë rast KEK-u, nuk kanë marrë për punëtorët e vet. Patjetër që ndihemi të diskriminuar dhe kjo është arsyeja pse po e shprehim këtë pakënaqësi”, ka potencuar Llumnica.