Kosovë Lajme Politikë

Bajrami: Nga sot reduktimet e rrymës lejohen edhe me vendim te Kuvendit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka komentuar vendimin e mbrëmshëm të Kuvendit të Kosovës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë.

Ajo ka bërë me dije se me miratimin e masave të emergjencës në fushën e energjisë janë legjitimuar edhe reduktimet e rrymës.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se tash për 60 ditë energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo.

“Të nderuar qytetarë, ju që po përballeni me reduktime, Mbrëmë, pas mesnatës, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, LVV-ja votoi vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë – kjo është domethënia e masave emergjente në sektorin e energjisë. Tash, për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim. Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.

“Po, vendimi e detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 MË. Tash mendojeni vetë sa mundet me u përmirësu gjendja me 30 MË. Ky vendim mbi të gjitha vlen: Për t’i arsyetuar reduktimet; Për blerjen e energjisë elektrike, duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik; Për kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit. Mos të harrojmë, masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021. Gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente”, ka shkruar ajo.