Tregjet financiare gjenden sërish nën presion pas rikthimit të shqetësimeve mbi qëndrueshmërinë e investimeve në inteligjencën artificiale.
Entuziazmi që krijoi debutimi i suksesshëm i kompanisë Anthropic në bursë, duket nuk qe i mjaftueshëm për të qetësuar investitorët.
Pas humbjeve prej rreth 2% në Ëall Street, rënia është përhapur në tregjet aziatike dhe europiane. Bursat në Azi e mbyllën ditën me humbje të ndjeshme. Ajo në Seul regjistroi rënien më të fortë me 5.21 %, e pasuar nga bursa e Tokios ku indeksi Nikkei humbi 5,06%.
Në territor negativ përfunduan gjithashtu Hong Kongu (-2,2%), Shangai (-1,2%) dhe Shenzheni (-3,6%). Presioni i shitjeve u përqendrua veçanërisht te kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit e gjysmëpërçuesve.
Aksionet e Advantest ranë me 10%, Tokyo Electron me 7%, ndërsa Samsung Electronics humbi 7% dhe gjiganti tajvanez TSMC afro 5%.
Sipas analistëve, investitorët po tërheqin kapitalin nga tregu i aksioneve dhe po orientohen drejt instrumenteve më të sigurta financiare, veçanërisht obligacioneve shtetërore.
Nga Milano, e deri në Frankfurt e Paris, edhe bursat europiane e nisën që të gjitha ditën me humbje.
Debutimi historik i Anthropic në bursë nuk arriti të ndryshojë klimën e pasigurisë. Aksionet e kompanisë, që u ofruan fillimisht me çmimin 83 dollarë, u hapën me një rritje prej 34% dhe e mbyllën ditën në 97,17 dollarë, duke fituar 17%.
Megjithatë, ky sukses nuk i ka bindur investitorët se rritja e sektorit të AI-it mund të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
Në tregje po shtohen dyshimet mbi vlerësimet gjithnjë e më të larta të kompanive të teknologjisë dhe mbi mundësinë që investimet masive në inteligjencën artificiale të mos justifikojnë pritshmëritë.
Pasigurive u shtohen edhe kufizimet e mundshme të administratës Trump për eksportin e çipave amerikanë, të cilat mund të ndikojnë në të gjithë industrinë globale të teknologjisë.
