Organizatori i protestave në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Çlirim Haziri, u është drejtuar qytetarëve në natën e shtatë radhazi të tubimeve në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se qëndresa e qytetarëve nuk do të ndalet dhe se shtatë ditët e para janë vetëm fillimi.
Haziri u shpreh se prania e vazhdueshme në shesh është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që menduan se protesta do të zbehej pas pak ditësh. Ai ndërlidhi këtë qëndresë edhe me përvjetorin e rënies së heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci.
Por çfarë janë shtatë net të qëndrimit tonë në këtë shesh, përballë sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë? Sot janë bërë 28 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit. Para sakrificës së tyre, qëndrimi ynë është pak, e sidomos sot kur po tentohet të njolloset lufta për të cilën ata dhanë jetën. Prandaj nuk lodhemi, nuk largohemi, qëndrojmë!“, ka thënë Haziri.
Ai nënvizoi se kjo lëvizje qytetare nuk lidhet me interesa partiake, por me një kauzë të vetme nën thirrjen e përsëritur “Jo në emrin tim!“.
Përveç thirrjeve, Haziri theksoi se tashmë ka edhe kërkesa konkrete, duke përmendur dorëzimin e nismës ligjore në organin legjislativ për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Në fjalën e tij, organizatori i dërgoi një paralajmërim të qartë institucioneve të vendit, duke kërkuar veprime të menjëhershme.
