Investigime Kosovë Kronikë Policore Lajme

Kush ishin imamët e BIK-ut që morën pjesë në konferencën ku shefi i Hamasit kërkonte armë?

Në Zvicër, pjesëmarrja në një konferencë ku foli kreu i Hamasit u bë shkak për largimin e një imami shqiptar nga postet drejtuese. Por në të njëjtën asamble, të mbajtur në Doha të Katarit, kishin marrë pjesë edhe imamë dhe kryeimamë të lidhur me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).

Mes tyre kishte drejtues fetarë nga Mitrovica, Gjilani, Rahoveci, Skenderaj dhe Prizreni, si dhe përfaqësues të komuniteteve shqiptare në diasporë. Dëshmitë që posedon Nacionale i lidhin këta imamë me Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë, të mbajtur më 6–11 janar 2024, transmeton Periskopi.

Në këtë ngjarje kishte mbajtur fjalim edhe Ismail Hanije, atëherë udhëheqës i Byrosë Politike të Hamasit.

Hanije ishte shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në janar 2018, ndërsa Hamasi klasifikohet si organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Asambleja u organizua vetëm tre muaj pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1200 njerëz.

Në fjalimin e 9 janarit, Hanije kërkoi mbështetje financiare dhe armatim për Hamasin, sipas [analizës së Institutit për Studimin e Luftës](https://www.criticalthreats.org/analysis/iran-update-january-9-2024).

Imamët e BIK-ut në Doha

Sipas materialeve të siguruara nga Nacionale, në asamblenë e janarit 2024 kishte marrë pjesë edhe Nusret Abazibra, kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Rahovec.

Abazibra është një figurë me përvojë të gjatë drejtuese në strukturat fetare të Rahovecit, ku detyrën e kryeimamit e ushtron që nga viti 2003.

Në këtë aktivitet ishte edhe Rexhep Lushta, kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë.

Pjesë e delegacionit ishte gjithashtu Iljaz Mustafa, kryeimam i Gjilanit dhe i angazhuar në veprimtarinë humanitare të shoqatës “Bereqeti”.

Nga Skenderaj kishte marrë pjesë Korab Hajra, ish-kryeimam i kësaj komune, i cili më pas ka shërbyer si imam në Runik.

Prania e këtyre figurave është veçanërisht me interes, për shkak të pozitave të tyre në institucionin kryesor fetar të myslimanëve të Kosovës.

A kanë udhëtuar në cilësi zyrtare, me autorizimin e BIK-ut, apo si pjesëmarrës individualë? Kjo është një çështje që kërkon sqarim institucional.

Në Doha kishte qenë edhe Naser Kastrati, imam i xhamisë “Bamirësat” në Prizren, e cila funksionon nën juridiksionin e BIK-ut.

Për Kastratin, lidhja me këtë rreth nuk kufizohet vetëm te pjesëmarrja në asamble.

Ai kishte shprehur dhembshuri dhe kishte përcjellë lutje pas vdekjes së Ismail Hanijes, në një postim të publikuar nga teologu Hajredin Hoxha.

Kjo e bën të rëndësishëm sqarimin e qëndrimit të tij ndaj udhëheqësit të Hamasit dhe organizatës që ai drejtonte.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Jakup Çunaku, ish-drejtor i Medresesë “Alauddin” në Prishtinë dhe ish-profesor i këtij institucioni.

Çunaku ia kishte dorëzuar drejtimin e medresesë Fadil Hasanit më 3 gusht 2020.

Përveç imamëve nga Kosova, në asamble morën pjesë edhe Bedri Syla dhe Naser Ramadani.

Syla, me origjinë nga Skenderaj, shërben si imam në xhaminë shqiptare “Ebu Hanife” në Troisdorf të Gjermanisë.

Pozita e tij konfirmohet edhe nga [Unioni i Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani]

Naser Ramadani është imam dhe ligjërues islam nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut.

Hajredin Hoxha: Nga organizimi i vizitave në Katar te vajtimi për Hanijen

Një nga figurat që lidh institucionet fetare të Kosovës me qarqet islamike në Katar është i ashtuquajturi Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Teologu me origjinë nga Prizreni jeton dhe vepron në Doha, ku ka zhvilluar aktivitet akademik dhe fetar.

Ai ka qenë i angazhuar në bashkëpunimin mes institucioneve fetare të Katarit dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.

Në janar 2024, Hoxha mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë, ku ishte i pranishëm edhe lideri politik i Hamasit. Sipas të dhënave të siguruara nga Nacionale, ai u zgjodh edhe anëtar i Bordit të Asamblesë.

Por qëndrimi i tij ndaj Ismail Hanijes u bë veçanërisht i qartë disa muaj më vonë.

Më 3 gusht 2024, pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit në Teheran, Hoxha publikoi një mesazh ku e nderonte atë me fjalë të veçanta.

“Sot në Doha të Katarit, e përcollëm për Ahiret Shehidin tonë të dashur, liderin tonë shpirtëror, liderin e mbarë Muslimanëve: Shehid Ismail Henije”, kishte shkruar Hoxha.

Ky nuk ishte një mesazh i zakonshëm ngushëllimi.

Përmes fjalëve “liderin tonë shpirtëror” dhe “liderin e mbarë Muslimanëve”, Hoxha shprehte një vlerësim të qartë për udhëheqësin terorist të Hamasit.

Roli i Hoxhës merr peshë shtesë edhe nga historia e bashkëpunimit me BIK-un.

„Sot në Doha të Katarit, e përcollëm për Ahiret Shehidin tonë të dashur, liderin tonë shpirtëror, liderin e mbarë Muslimanëve: Shehid Ismail Henije“

Hajredin Hoxha

Në janar 2013, BIK-u kishte dërguar dhjetë kryeimamë në një seminar në Katar, të organizuar me ndihmën e Hoxhës dhe myftiut Naim Tërnava.

Sipas [njoftimit zyrtar të BIK-ut](https://bislame.net/katar13/), në atë delegacion ishin Rexhep Lushta, Iljaz Mustafa, Nusret Abazibra, Korab Hajra dhe Naser Kastrati.

Delegacioni ishte takuar edhe me Jusuf el-Kardavin, figurë me ndikim të madh në Vëllazërinë Myslimane dhe themelues i Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë.

Ky ishte një aktivitet tjetër, njëmbëdhjetë vjet përpara asamblesë ku foli Hanije.

Megjithatë, dokumenti tregon se kontaktet institucionale mes BIK-ut dhe qarqeve fetare të Dohës nuk ishin të rastësishme apo të reja.

Një tjetër figurë kontroverse në rrethin e Hajredin Hoxhës

Materialet e siguruara nga Nacionale tregojnë gjithashtu kontakte të Hoxhës me klerikun egjiptian Muhamed es-Sagir (Muhammad al-Saghir).

Es-Sagir është një figurë e njohur e islamizmit politik egjiptian, me lidhje të dokumentuara me Al-Gama’a al-Islamiyya.

Kjo organizatë ishte përfshirë historikisht në sulme terroriste në Egjipt dhe ishte shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1997.

Es-Sagir kishte mbajtur funksione politike në partinë e lidhur me këtë organizatë.