Investigime Kosovë Kronikë Policore Lajme

I kërkuar për vite, shofer nxënësish në Prishtinë: si u fsheh nën identitet të rremë!

Muhamet Gashi, 26-vjeç, i renditur lart në listën e personave më të kërkuar në Kosovë para se të kapej të mërkurën, dyshohet se punonte në transport të nxënësve të një shkolle në Prishtinë.

Gashi dyshohet për krimin e rëndë të vrasjes së një të riu në qendër të Lipjanit në verën e vitit 2022. Që nga ajo kohë, ai ndodhej në arrati nga autoritetet e drejtësisë.

Pak ditë pas vrasjes, 26-vjeçari u kishte shpëtuar nga duart oficerëve policorë që ishin vënë në kërkim të tij, ndërsa kishte vazhduar të strehohej për një kohë në Serbi. Dyshohet se ishte rikthyer në Kosovë përmes flasifikimit të dokumenteve. Jetonte në Prishtinë nën një identitet të rremë.

Gashi dyshohet se për disa muaj vitin e kaluar punoi si shofer i transportit të nxënësve në shkollën fillore “Pavarësia” në kryeqytet.

Një person me dosje të trashë penale, Muhamet Gashi iu prezantua fëmijëve dhe prindërve me emrin “Albin Behrami”.

E mërkura e 15 prillit ishte dita e fundit në arratinë gati katër vjeçare të Gashit.

Ai u kap të mërkurën derisa po strehohej në një banesë në Prishtinë.

Në banesë, nuk ishte i vetëm. Aty zyrtarët policorë arritën ta kapin edhe një person tjetër të dyshuar për vepra penale të kryera në bashkëpunim me të dyshuarin kryesor.

“Gjatë bastisjes në banesën ku kanë qenë të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar dy pistoleta dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm, dokumente të ndryshme që dyshohet të jenë të falsifikuar që i kanë përdorur të dyshuarit për fshehjen e identitetit dhe mashtrime të qytetarëve”, tha Policia në njoftim.

Më 5 gusht të vitit 2022, në një kafiteri në qendër të Lipjanit, 22-vjeçari D.G. u plagos për vdekje nga të shtënat me armë zjarri. Vrasjen dyshohet se e kishin kryer Muhamet Gashi dhe Gazmend Selimi.

Selimi ishte dorëzuar në Polici rreth dy javë pas krimit, edhe pse një ditë pas vrasjes dy të dyshuarit kishin arritur t’iu iknin zyrtarëve policorë para duarve.

Të vendosur në kërkim që nga nata e 5 gushtit, një ditë pas vrasjes – më 6 gusht 2022 – Gashi e Selimi kishin arritur të arratiseshin edhe pasi ishin ndaluar nga një patrullë policore në fshatin Novosellë të Kamenicës.

Verifikimi i shoferit të kësaj veture dhe kontrollimi i dokumentacionit të tij ishte bërë ‘sebep’ që të dyshuarit t’ia mbathnin.

Ngjarja dyshohet se kishte ndodhur në orët e vona, derisa Policia po kontrollonte një person, që po voziste veturën ku ndodheshin dy të dyshuarit për vrasje të rëndë. Ata siç duket luajtën rolin shumë mirë në fillim, pasi nuk bënë asnjë lëvizje në momentin që patrulla dha urdhër që kjo veturë të ndalet. Të dyshuarit e shfrytëzuan kohën kur Policia po merrej me shoferin, morën atë veturë dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

Siç shkruante portali Sinjali, vetura me të cilin po udhëtonin dy të arratisurit ishte gjetur e braktisur më pas afër Karaçevës.

Ndërsa Selimi ishte dorëzuar pranë autoriteteve rreth dy javë më vonë, Gashi dyshohet se është strehuar në Serbi dhe ka arritur të rikthehet në Kosovë përmes dokumenteve të falsifikuara.