PDK-ja thotë se me LVV-në po diskuton “thjesht për procedurën” pas kthimit në Kuvend të ligjit për Specialen. Ai do të rishqyrtohet dhe do të miratohet sërish, ndërsa nga partia më e madhe opozitare kanë thënë se përmbajtja është “pak a shumë e dakorduar” me partinë në pushtet. Deputetë të PDK-së dje u takuan me ambasadorin e BE-së në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës po diskutojnë për çështjen e rishqyrtimit të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pasi presidentes Justina Shiroka Pula iu kërkua që ta kthente ligjin në Kuvend pas miratimit më 6 tetor.
Dy partitë më të mëdha parlamentare shprehën optimizëm se do të pajtohen për ligjin e ri, shkruan Express, transmeton Periskopi.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku tha dje se beson se përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet subjekteve parlamentare do të arrihet pajtueshmëria për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Tha se po zhvillojnë “diskutime intensive” me LVV-në, por edhe me subjektet tjera parlamentare.
Çështja, sipas saj, nuk është te përmbajtja e ligjit – për të cilën tha se ka pajtueshmëri – por shtoi se do të diskutojnë “vetëm për procedurën”.
“Unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mijëra të rinjtë që kanë protestuar në sheshin e Prishtinës, anekënd Kosovës e në diasporë, kudo që ka shqiptarë, se Partia Demokratike e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga ligji. Përkundrazi. Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën. Unë jam e bindur që, nëse vazhdojmë me vullnetin politik që kemi demonstruar ditën kur e kemi miratuar ligjin, do të gjejmë zgjidhje dhe ligji do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ajo në një intervistë për Ekonomia Online.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha dje se po diskutojnë me PDK-në për hapat e mëtejmë, ndërsa shtoi se beson se do të arrijnë pajtueshmëri “sa u përket çështjeve përmbajtësore”.
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, tha para pak ditësh gjatë prezantimit të raportit të progresit se janë në bisedime me Qeverinë e Kosovës lidhur me ligjin e ri për Specialen.
“Amendamentet në Ligjin për Specialen rrezikojnë ta minojnë çdo përparim, por tashmë jemi në dialog me Qeverinë e Kosovës sa u përket këtyre amendamenteve”, ka deklaruar ajo.
BE-ja i ka quajtur të papranueshme ndryshimet e miratuara në ligjin për Specialen më 6 tetor, duke thënë se në këtë mënyrë Kosova po i shkelte detyrimet e saj ndërkombëtare.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri njoftoi dje se ai dhe Elmi Reçica e Ariana Musliu Shoshi, kolegët e tij të partisë që janë anëtarë të Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, zhvilluan një takim me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.
“Gjatë takimit diskutuam për shqetësimet tona lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe rëndësinë e avancimit të agjendës evropiane”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Tahiri tha se “Bashkimi Evropian mbetet partner strategjik i Kosovës, ndërsa përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta evropiane është thelbësor për të ardhmen tonë”.
