Ish-presidentja e Kosovës dhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e saj për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.
Osmani e ka vlerësuar Sejdiun si një profesionist të dëshmuar dhe figurë me integritet, duke thënë se ai përfaqëson seriozitetin dhe vizionin që kërkon posti i presidentit.
“Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë. Prof. Dr. Bekim Sejdiu”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se Sejdiun e njeh prej 25 vitesh dhe se ka pasur mundësi të bashkëpunojë me të, përfshirë gjatë kohës sa ishte presidente e Kosovës.
“Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij”, ka deklaruar Osmani.
Ish-presidentja ka thënë se vendimi për zgjedhjen e presidentit u takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar përgjegjësinë e tyre si historike.
Ajo ka bërë thirrje që vendimi të merret duke pasur parasysh interesin shtetëror, stabilitetin institucional, fuqizimin e aleancës euroatlantike dhe demokracinë.
“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë”, ka shkruar Osmani.
