Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) u ka kërkuar prodhuesve të Ozempic, Wegovy dhe barnave të tjera të grupit GLP-1 të shtojnë në informacionin e sigurisë një paralajmërim për rrezikun e mundshëm të një dëmtimi të rrallë të nervit optik. Gjendja mund të shkaktojë humbje të papritur të shikimit në njërin sy, në disa raste të përhershme.
Kërkesa, e bërë publike më 9 nëntor, përfshin edhe Mounjaro dhe Zepbound. Çrregullimi, i njohur me shkurtesën NAION, ndodh kur furnizimi me gjak i një pjese të nervit optik zvogëlohet. Shikimi mund të dobësohet papritur dhe pa dhimbje.
Çfarë tregojnë të dhënat?
FDA analizoi 126 prova klinike me mbi 134 mijë pjesëmarrës. Shkalla e raportuar ishte 6,4 raste për 100 mijë person-vite te pacientët që morën barna GLP-1, krahasuar me 3,8 raste për 100 mijë person-vite te ata që morën placebo ose barna të tjera për uljen e sheqerit në gjak. Në tërësi, analiza identifikoi 15 raste të mundshme.
Në Evropë, komiteti i sigurisë i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) e kishte klasifikuar në qershor të vitit 2025 këtë gjendje si efekt anësor shumë të rrallë të semaglutidit, përbërësit aktiv të Ozempic, Wegovy dhe Rybelsus. Sipas vlerësimit të EMA-s, gjendja mund të prekë deri në një në 10 mijë persona që marrin semaglutid.
FDA u kërkon pacientëve të kontaktojnë menjëherë një profesionist shëndetësor nëse vërejnë dobësim të papritur të shikimit, zona të errëta në fushën pamore ose ndryshime të tjera të shikimit në njërin sy.
