Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur testin kualifikues për 371 kandidatë që kanë aplikuar në kuadër të procesit të rekrutimit të 34 prokurorëve të rinj të shtetit.
Sipas njoftimit të KPK-së, nga gjithsej 371 kandidatë që iu nënshtruan testimit, 174 ishin gra dhe 197 burra. Prej 34 pozitave të shpallura, 10 janë të rezervuara për pjesëtarët e komunitetit serb, ndërsa prokurorët e rinj pritet të emërohen në prokuroritë themelore të Kosovës.
Testimi është mbajtur në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
“Procesi i hartimit dhe administrimit të testit është realizuar duke zbatuar parimet e transparencës, integritetit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë kandidatëve. Në funksion të këtyre parimeve, pyetjet e testit janë hartuar sot, në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtar. Testi kualifikues është mbikëqyrur nga z. Arian Gashi, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, së bashku me anëtarët e tjerë të këtij Komisioni.
KPK tha se mbarëvajtja e procesit është përcjellë edhe nga përfaqësues të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX) OSBE dhe AVONET, duke kontribuar në monitorimin e pavarur dhe besueshmërinë e këtij procesi.
“Me përfundimin e testit kualifikues, procedura e rekrutimit do të vijojë me fazat e tjera të parapara, përkatësisht testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve”.
Këshilli Prokurorial i Kosovës tha se “mbetet i përkushtuar që i gjithë procesi të zhvillohet mbi bazën e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe paanësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse”.
