Kërcënimet për bomba detyruan aeroplanët e pasagjerëve të kryenin ulje të paplanifikuara në disa vende të Europës të enjten në mëngjes, në rastin më të fundit të një serie kërcënimesh që kanë vënë në shënjestër fluturimet në Europë, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
Fluturimi EI402 i kompanisë Aer Lingus, nga Dublini për në Romë, u ul i sigurt në aeroportin e Evreux, 100 kilometra në perëndim të Parisit, pasi u devijua si masë paraprake sigurie, njoftoi kompania ajrore irlandeze në një komunikatë.
Mediat belge raportuan se një aeroplan pasagjerësh, i detyruar të ulej në aeroportin Zaventem të Brukselit, i përkiste kompanisë ajrore polake LOT.
Një aeroplan i kompanisë Finnair, që vinte nga Helsinki, u shoqërua në mënyrë të sigurt nga forcat ajrore italiane deri në uljen e planifikuar në Romë, tha një burim pranë çështjes.
Zyrtarët bullgarë raportuan se tre aeroplanë kryen ulje emergjente për shkak të kërcënimeve për bomba.
Aeroplanët që fluturonin nga Kopenhaga dhe Madridi u ulën në Sofje, tha ministri i Brendshëm, sipas transmetuesit bTV.
Një aeroplan i tretë, nga Londra, u ul në Plovdiv, raportuan mediat lokale.
Të martën, të paktën shtatë fluturime dhe një anije turistike morën kërcënime për bomba, duke shkaktuar ndërprerje në aeroportet në të gjithë Europën, megjithëse nuk u zbulua asnjë pajisje shpërthyese.
Ndonëse asnjë shtet nuk ka fajësuar dikë për kërcënimet, ato vijnë në një kohë kur zyrtarët europianë kanë fajësuar si Rusinë, ashtu edhe Iranin për ato që i përshkruajnë si “sulme hibride” dhe akte sabotimi. Moska dhe Teherani i mohojnë të dyja këto akuza për një fushatë të tillë.
Këtë javë, hakerë të paidentifikuar nxorën jashtë funksionit frigoriferët në supermarketet në disa vende europiane. Disa ekspertë thanë se kërcënimet e rreme për bomba mund të jenë pjesë e një modeli të ngjashëm të përpjekjeve për të shkaktuar ndërprerje me kosto të ulët dhe pa mundësi për t’ia atribuuar përgjegjësinë dikujt.
