Kosovë Lajme

Pasiguria e llogarive në Raiffeisen Bank, puntori i bankës shpërndan gjendjen dhe transaksionet e Përparim Ramës

Një punonjës i Bankës “Raiffaisen” është qasur pa autorizim në llogarinë e kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës.

Më pas, ai ka shpërndarë gjendjen dhe transaksionet bankare të parit të kryeqytetit.

Nga Zyra për Media e Komunës së Prishtinës e ka konfirmuar rastin, duke thënë se punëtori në fjalë është larguar nga puna pas ankesës së kryetarit Përparim Rama.

“Kryetarit Rama i është konfirmuar se një punonjës i Raiffeisen Bank është qasur pa autorizim në llogarinë bankare të tij dhe ka shpërndarë të dhëna personale nga llogaria e tij. Për këtë shkelje të rëndë, kryetari Rama ka dorëzuar ankesë zyrtare dhe ka kërkuar sqarime nga banka. Sipas Raiffeisen Bank, punonjësi i gjinisë mashkull, përgjegjës për këtë shkelje të rëndë është identifikuar dhe është larguar nga puna”, kanë thënë Zyra për Media e Komunës së Prishtinës për Express.

Komuna e Prishtinës ka bërë me dije Përparim Rama do të ndjekë edhe rrugë ligjore ndaj bankës dhe punonjësit në fjalë.

“Kryetari Rama do të ndjekë rrugën gjyqësore ndaj Raiffeisen Bank dhe punonjësit përgjegjës për qasjen pa autorizim në të dhënat e llogarisë së tij bankare dhe shpërndarjen e të dhënave dhe transaksioneve. Ndaj bankës do të kërkohet përgjegjësi për shkeljen e detyrimeve ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit bankar dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Për veprimet e punonjësit do të kërkohet vlerësimi i përgjegjësisë penale sipas neneve 199 dhe 200 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kryetari do të kërkojë gjithashtu kompensim për dëmin e shkaktuar nga cenimi i privatësisë dhe dëmtimi i reputacionit të tij publik”, ka bërë me dije Komuna e Prishtinës.