Banka Kombëtare Tregtare po aplikon një strategji agresive të zhvendosjes së kapitalit të mbledhur nga kursimet e shqiptarëve drejt tregjeve ndërkombëtare, duke krijuar atë që mund të konsiderohet si një “hemorragji financiare” për ekonominë vendase.
Vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, banka ka bërë një lëvizje të madhe taktike duke dërguar jashtë vendit plot mbi 9.4 miliardë LEK (rreth 103 milionë Euro) brenda një periudhe 3-mujore.
Kjo lëvizje përfshin shtimin e depozitave në bankat jorezidente me 4.25 miliardë LEK dhe dhënien e huave për institucionet financiare të huaja në vlerën e 5.16 miliardë LEK-ëve, kryesisht për të përfituar nga normat e larta të interesit në Eurozonë.
Hemorragji financiare
Kjo lëvizje e fundit është vetëm maja e ajsbergut, pasi stoku total i parave që BKT ka nxjerrë jashtë Shqipërisë ka arritur shifra kolosale. Sipas të dhënave të pasqyrave të audituara financiare, stoku i plotë i vendosjeve totale të BKT-së jashtë vendit kap vlerën e jashtëzakonshme prej mbi 2.22 miliardë Euro.
Ky mal gjigand parash, i cili e kthen BKT-në në një fond investimesh globale, përbëhet nga 1.75 miliardë Euro në letra me vlerë ndërkombëtare dhe Eurobonde, 267.1 milionë Euro në depozita afatshkurtra likuiditeti në banka të huaja dhe plot 377.5 milionë Euro në kredi të dhëna direkt për institucione financiare ndërkombëtare.
Kjo është një strukturë thellësisht problematike. Mbi një e treta e të gjithë pasurisë dhe likuiditetit të mbledhur nga BKT nuk qëndron në Shqipëri, por është e shpërndarë nëpër tregjet ndërkombëtare në formë Eurobondesh, depozitash dhe huash ndërbankare, duke lënë vetëm 66% të aseteve për tregun vendas.
Përveçse thajnë ekonominë kombëtare nga likuiditeti, i cili shkon jashtë dhe nuk financon rritjen ekonomike të vendit, këto zhvendosje masive mbartin një pikëpyetje të madhe rregullatore. Raportet zyrtare të bankës nuk zbulojnë se në cilat vende specifike janë investuar këto para dhe çfarë klase risku (credit rating) kanë këto instrumente të huaja.
Por nën zë flitet se BKT ka investuar edhe në aksione apo bonde afrikane apo Azerbajxhan, vende të cilat nuk njihen për siguri të lartë investimesh. Duke qenë banka më e madhe në vend, strategjia e BKT i shkakton kosto jo të vogla Shqipërisë.
