Ekonomi Investigime Kosovë Lajme

Dokumenti i Ministrisë së Ekonomisë s’përfshin projektin e premtuar nga Kurti

Premtimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për gazifikimin e qymyrit nuk është përfshirë në draftudhërrëfyesin për tranzicion të drejtë, i nxjerrë në konsultim publik nga Ministria e Ekonomisë. Ani se dokumenti flet për zëvendësim të linjitit, dhe hapat që parashihen deri në vitin 2040, në të nuk përmendet fare gazifikimi, zotim i Kurtit gjatë fushatës së fundit.

Gazifikimi i qymyrit për prodhim të energjisë është karta që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nxjerrë para qytetarëve si premtim për mandatin e ardhshëm.

Por, në draftdokumentin për Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë dhe hapat që parashihen deri në vitin 2040, fjala “gazifikim” nuk ekziston fare.

Ky dokument që fillimisht është vendosur në konsultime publike në kohë të fushatës është tërhequr nga aty për t’u kthyer javën e shkuar.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli, dhe zëvendësministri në detyrë, Getoar Mjeku si dhe drejtori i Departamentit për Energji, Luan Morina, sepse në këtë dokument nuk është përfshirë projekti për gazifikim të thëngjillit, por nuk ka marrë përgjigje prej ditësh.

E dokumenti bazohet ekskluzivisht në dekarbonizim.

Ai parasheh që mbi 90 për qind e prodhimit aktual nga linjiti të zëvendësohet gradualisht me 2,650 megavatë nga burimet e ripërtritshme, si era dhe solari.

“Në këtë kuadër, kapacitetet e Termocentralit “Kosova B” do të vazhdojnë të operojnë si kapacitete bazë të sistemit, të modernizuara dhe të përshtatura me standardet mjedisore në fuqi, duke garantuar stabilitet dhe siguri të furnizimit. Ndërkohë, kapacitetet e Termocentralit ‘Kosova A’ do të ndalen gradualisht nga prodhimi aktiv pas sigurimit të kapaciteteve zëvendësuese dhe do të transformohen në rezerva strategjike, të cilat do të aktivizohen vetëm në periudhat e dimrit, për nevoja të ngrohjes përmes kogjenerimit dhe në raste të krizave potenciale energjetike”, thuhet në Draftudhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë.

Aty thuhet po ashtu se procesi i tranzicionit të drejtë do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me procesin e transformimit dhe dekarbonizimit të sektorit të energjisë.

“Strategjia pritet të përcaktojë rrugëtimin gradual të transformimit të KEK-ut, duke përfshirë diversifikimin e aktiviteteve të ndërmarrjes, zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e energjisë së ripërtërishme, identifikimin e mundësive të reja të biznesit dhe transformimin gradual të kapaciteteve ekzistuese me bazë linjiti, në mënyrë që të ruhet siguria e furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së tranzicionit”, thuhet në draftdokument.

Në dokument flitet edhe për sfidat me të cilat po përballet sektori energjetik në vend, e që siç thuhet lidhen me vjetërsinë e infrastrukturës, ndikimet mjedisore, shëndetësore dhe nevojën për reduktimin gradual të emetimeve të gazrave serrë.

Në të ceken edhe kërkesat në rritje për afrim me politika dhe legjislacion të Bashkimit Evropian në fushën e energjisë dhe klimës.