Kosovë Kronikë Policore Lajme

EMRA: 20 ndryshime të reja në Polici, pritet largimi i disa figurave kyçe

Një valë e papritur ndryshimesh pritet ta përfshijë Policinë e Kosovës gjatë ditës së sotme. Përmes burimeve brenda Policisë, rreth 20 zyrtarë të lartë do të preken nga largimet prej pozitave aktuale, transferimet dhe emërimet e reja, në atë që mund të jetë një prej riorganizimeve më të mëdha të viteve të fundit në këtë institucion.

Ndryshimet pritet të prekin pothuajse të gjitha strukturat më të rëndësishme të Policisë së Kosovës, përfshirë nivelin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Departamentin e Hetimeve, Inteligjencën, Kundërterrorizmin, Burimet Njerëzore, Shërbimet Mbështetëse dhe drejtoritë rajonale.

Në mesin e emrave që pritet të preken nga ky riorganizim janë Taibe Canolli-Brajshori, Agron Rukiqi, Luan Keka, Agron Nezaj, Afërdita Mikullovci, Fatos Makolli, Gëzim Dibrani, Kamer Jonuzaj dhe Fatmir Bajrami.

Bëhet fjalë për disa prej drejtuesve me përvojë të gjatë në institucion, të cilët kanë mbajtur pozita kyçe në menaxhimin, hetimet dhe sigurinë publike.

Ndryshimet nisin nga maja e Policisë

Një prej lëvizjeve më të rëndësishme pritet të jetë emërimi i koloneles Taibe Canolli-Brajshori në pozitën e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Canolli-Brajshori aktualisht drejton Departamentin e Burimeve Njerëzore. Ajo është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2000 dhe gjatë karrierës ka ushtruar disa funksione të rëndësishme drejtuese. Në vitin 2018 është shpërblyer me çmim ndërkombëtar për lidership policor.

Në vend të saj, sipas burimeve të Nacionales, pritet të emërohet kolonel Agron Rukiqi, aktualisht drejtor i Policisë Rajonale në Gjilan.

Rukiqi e njeh mirë Departamentin e Burimeve Njerëzore, pasi në të kaluarën ka qenë drejtues i tij. Me këtë ndryshim, ai praktikisht do të rikthehej në një strukturë që e ka udhëhequr më herët.

Ndërkaq, në pozitën që pritet ta lirojë Rukiqi në Gjilan, do të emërohet Luan Keka, drejtori shumëvjeçar i Kundërterrorizmit.

Keka është një prej zyrtarëve me përvojë të gjatë në strukturat e specializuara të sigurisë. Ai ka diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka qenë i përfshirë në bashkëpunime ndërkombëtare për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.

Kalimi i tij nga Kundërterrorizmi në drejtimin e Policisë Rajonale në Gjilan përbën një ndryshim të rëndësishëm në përgjegjësitë e tij.

Ndryshime edhe në Inteligjencë: Çfarë po ndodh me Gëzim Dibranin?

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm pritet të ndodhë në Departamentin e Inteligjencës dhe Analizës, një prej strukturave më të ndjeshme të Policisë së Kosovës.

Sipas informacioneve të Nacionales, Fatmir Bajrami, aktualisht drejtor i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse, pritet të transferohet në Departamentin e Inteligjencës dhe Analizës (DIA).

Ky departament drejtohet nga Gëzim Dibrani, i cili gjithashtu është në mesin e zyrtarëve që pritet të preken nga ndryshimet e paralajmëruara.

Dibrani është një zyrtar me përvojë të gjatë në Policinë e Kosovës. Në të kaluarën ka ushtruar funksionin e zëvendësdrejtorit rajonal të Policisë në Prishtinë, ndërsa më vonë ka shërbyer edhe në strukturat e hetimeve.

Në maj të këtij viti, ai ishte pjesë e një aktiviteti zyrtar të organizuar me FBI-në dhe programin amerikan DOJ/ICITAP, ku 35 zyrtarë të Policisë së Kosovës u certifikuan pas trajnimeve të specializuara për inteligjencë dhe analizë.

DIA është një departament me rëndësi të veçantë për funksionimin e Policisë, pasi merret me mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e informacioneve që shërbejnë për parandalimin dhe hetimin e kriminalitetit.

Burimet bëjnë të ditur se edhe Dibrani përfshihet në riorganizimin e paralajmëruar, por ende nuk është saktësuar pozita në të cilën do të sistemohet. Po ashtu, mbetet të qartësohet nëse Bajrami do ta marrë drejtimin e DIA-s apo do të caktohet në një funksion tjetër brenda departamentit.

Në vend të Fatmir Bajramit, në krye të Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse, pritet të emërohet Kamer Jonuzaj.

Jonuzaj ka përvojë të gjatë në Policinë e Kosovës dhe në të kaluarën ka ushtruar funksione drejtuese në strukturat e Policisë Kufitare dhe ato mbështetëse.

Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse është përgjegjës për disa prej funksioneve më të rëndësishme administrative dhe logjistike të Policisë, përfshirë financat, prokurimin, teknologjinë informative dhe pajisjet.

Preken edhe Hetimet, Fatos Makolli dhe Policia e Mitrovicës

Ndryshimet pritet ta prekin edhe Departamentin e Hetimeve, një prej strukturave më të rëndësishme të Policisë së Kosovës.

Agron Nezaj pritet të largohet nga pozita e drejtorit të Departamentit të Hetimeve, pozitë nga e cila ka udhëhequr një strukturë me përgjegjësi të rëndësishme në hetimin e kriminalitetit, krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale.

Nezaj ka qenë pjesë e delegacioneve të larta policore në takime ndërkombëtare dhe bashkëpunime me institucione të sigurisë.

Ende nuk dihet se në cilën pozitë do të transferohet dhe kush do ta zëvendësojë.

Një tjetër emër që përfshihet në listën e ndryshimeve është Fatos Makolli, zyrtar me përvojë të gjatë në strukturat e hetimeve dhe të sigurisë.

Makolli ka qenë drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit, koordinator kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, si dhe drejtor i Divizionit për Hetimin e Krimeve.

Sipas burimeve, edhe Makolli pritet të preket nga ndryshimet, por ende nuk dihet pozita e tij e ardhshme.

Ndryshime priten edhe në Policinë Rajonale të Mitrovicës së Jugut.

Kolonelja Afërdita Mikullovci pritet të largohet nga drejtimi i këtij rajoni dhe të transferohet në strukturat e Trafikut Rrugor.

Mikullovci është një prej grave me përvojën më të gjatë në pozita komanduese të Policisë së Kosovës. Ajo ka udhëhequr Policinë Rajonale në Mitrovicën e Jugut që nga viti 2018, ndërsa ka marrë pjesë edhe në programe ndërkombëtare të lidershipit policor në Shtetet e Bashkuara.

Ende nuk dihet kush pritet ta zëvendësojë në këtë pozitë.

Reforma pas vrasjes së Arlindës apo spastrim në majat e Policisë?

Ky riorganizim i gjerë po ndodh në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm për Policinë e Kosovës.

Më 25 tetor, Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës, pasi për një kohë të gjatë kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet shtetërore.

Rasti i saj nxori në pah dështime serioze të institucioneve, të cilat nuk arritën ta mbronin përkundër denoncimeve dhe paralajmërimeve të përsëritura.

Inspektorati Policor i Kosovës konstatoi se nuk ishte dokumentuar ekzekutimi i një urdhri mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa një urdhër tjetër, i 16 tetorit, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë.

Gjithashtu, sipas IPK-së, zinxhiri komandues nuk kishte trajtuar siç duhej një kërkesë të hetuesit policor për masa shtesë sigurie për Arlindën.

Si pasojë, më 29 tetor u suspenduan 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtues rajonalë, komandantë dhe hetues që kishin qenë të përfshirë në trajtimin e rastit.

Një ditë më vonë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje, të cilën e cilësoi si akt moral dhe institucional.

Në krye të Policisë, si ushtrues detyre, u caktua Fehmi Hoti.

Mirëpo, derisa masat ndaj zyrtarëve policorë në Pejë lidhen me gjetje konkrete të Inspektoratit Policor, ndryshimet e paralajmëruara në rreth 20 pozita të tjera drejtuese ngrenë pikëpyetje serioze për arsyet, kohën dhe qëllimin e këtij riorganizimi.

Çfarë lidhjeje ka drejtori i Kundërterrorizmit me dështimet policore në Pejë? Përse duhet të ndryshohet drejtimi i Inteligjencës, Departamentit të Hetimeve apo drejtorive rajonale në Gjilan dhe Mitrovicë?

A bëhet fjalë për një riorganizim të planifikuar më herët, për vlerësime profesionale të performancës, apo për ndryshime që po ndërmerren pas tronditjes së madhe institucionale të shkaktuar nga vrasja e Arlindës?

Natyrisht, ndryshimet dhe rotacionet në strukturat drejtuese të Policisë nuk janë domosdoshmërisht problematike. Ato mund të jenë pjesë e nevojshme e menaxhimit dhe përmirësimit të funksionimit të institucionit.

Megjithatë, kur një numër kaq i madh drejtuesish ndryshohen pothuajse njëkohësisht, menjëherë pas një tragjedie që ka shkaktuar presion të madh publik dhe politik, është e domosdoshme të shpjegohen kriteret mbi të cilat po merren këto vendime.

Një prej pikëpyetjeve është nëse rasti i Arlindës mund të shërbejë si pretekst për ndryshime më të gjera, përfshirë edhe ato që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me dështimet e identifikuara në Pejë.

Deri më tani nuk janë bërë publike gjetje që i lidhin në mënyrë individuale drejtuesit e përmendur në këtë artikull me përgjegjësi për rastin e Arlindës.

Po ashtu, nuk ka prova të konfirmuara publikisht se ndryshimet e paralajmëruara kanë motive politike. Megjithatë, për të shmangur dyshime të tilla, nevojitet transparencë nga drejtuesit e Policisë dhe institucionet përgjegjëse.

Sepse tragjedia e Arlindës ka dëshmuar nevojën për përgjegjësi, profesionalizëm dhe ndryshim të praktikave institucionale, por jo domosdoshmërisht për zëvendësimin e një numri kaq të madh drejtuesish të strukturave të ndryshme policore.

Mbetet të shihet nëse vendimet do të formalizohen gjatë ditës së sotme dhe nëse Policia e Kosovës do të ofrojë shpjegime për këtë riorganizim të gjerë.