Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, u ndalua sot për 48 orë pasi dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin, duke njoftuar se bashkëshortja e tij kishte raportuar se Berisha kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj në vazhdimësi. Ajo kishte deklaruar se qe disa muaj nuk jeton me të.
“Prishtinë 22-30.10.2026-NN. Është raportuar se viktima femër kosovare, në vazhdimësi ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin nuk bashkëjeton që disa muaj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Ndalimin prej 48 orësh ndaj Berishës e për Periskopin e ka konfirmuar më herët edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Ajo tha se ndalimi u bë me urdhër të prokurorit kujdestar dhe se të gjitha veprimet hetimore do të ndërmerren në këtë rast.
Ndërkaq, më herët “Betimi për Drejtësi” ka raportuar, duke cituar burime, ka kërcënuar bashkëshorten se do t’i ndodhë e njëjta sikurse Arlinda Zekajt, e cila u vra me sëpatë nga i dyshuari ish-kunati i saj.
