Kosovë Kronikë Policore Lajme Politikë

Vrasja e Arlinda Zekajt, Gërvalla: Prokurorja refuzoi të hapte rast për kanosje ndaj Albert Sylajt

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, bëri publike detaje të reja nga raporti që trajton rrethanat institucionale të vrasjes së Arlinda Zekajt, duke vënë në pah edhe mënyrën se si ishte trajtuar rasti i kërcënimeve ndaj saj.


Në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Gërvalla deklaroi se Prokuroria kishte pasur informacione për dhunën dhe kërcënimet që Arlinda kishte përjetuar nga Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e saj.

Sipas ministres, informacionet për rastin kishin arritur edhe te nivelet më të larta të Prokurorisë. Ajo bëri të ditur se më 23 tetor, vetëm dy ditë para vrasjes, edhe kryeprokurorja ishte informuar zyrtarisht përmes një njoftimi me shkrim.

Megjithatë, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të niste procedurë për veprën e kanosjes.

“Prokuroria ishte e njoftuar për dhunën dhe kërcënimet e Arlinda Zekajt. Për zhvillimet e rastit ishin të njoftuar vazhdimisht prokurorët. Më 23 tetor, dy ditë para vrasjes, edhe kryeprokurorja ishte e njoftuar me shkrim. Sipas dokumentacionit, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje”, tha Gërvalla.