Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte në rastin e njohur si “Masakra e Padalishtës”, që ndodhi më 26 mars 1999 në Komunën e Istogut.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, arrestimet janë kryer të enjten, më 29 tetor, pas një periudhe të gjatë hetimesh për dokumentimin e këtij rasti.
Dy të dyshuarit, me inicialet Z.B. dhe G.B., janë lokalizuar dhe arrestuar në fshatrat Osojan dhe Cerkolez të Komunës së Istogut.
Hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale. Në kuadër të tyre janë ndërmarrë edhe veprime operative në terren, në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin.
Policia dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se veprimet e mëtejshme lidhur me rastin do të vazhdojnë në bashkërendim mes dy institucioneve.
