Gjykata e Apelit i është përgjigjur kritikave të publikut lidhur me mbylljen për publikun të seancës gjyqësore në rastin e Liridona Ademajt.
Sipas këtij institucioni procesi nuk ka qenë tërësisht me dyer të mbyllura.
Sipas gjykatës, seanca u zhvillua pjesërisht e hapur, ndërsa kufizimi i pranishmërisë mediatike e publike në një pjesë të saj u bë me qëllim të mbrojtjes së jetës private të palëve të përfshira në procedurë.
“Ky vendim është marrë nga kolegji gjykues i çështjes penale në fjalë, në përputhje me dispozitat ligjore të procedurës penale, duke pasur parasysh natyrën e çështjeve të trajtuara, të cilat kanë paraqitur nevojën për mbrojtjen e jetës private dhe familjare të pjesëmarrësve në procedurë. Bëjmë me dije se, në këtë çështje penale edhe në procedurën e zhvilluar në shkallë të parë, një pjesë e seancave gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që në shkallën e parë të gjykimit seanca ka qenë e mbyllur për publikun për vetëm më pak se një orë.
