Kosovë Lajme

Konferenca e Gërvallës dhe Sveçlës nesër ndryshon orarin e protestës: Qytetarët para Qeverisë në ora 09:00

Vala e protestave për drejtësi dhe llogaridhënie institucionale nuk do të ndalet. Aktivistët dhe qytetarët e mbledhur për të kërkuar mbrojtje të jetës së grave kanë paralajmëruar një tjetër tubim urgjent për ditën e nesërme para ndërtesës së qeverisë.

Ndryshe nga ditët e kaluara kur protestat niseshin pasdite, organizimi i së premtes është zhvendosur në orët e hershme të mëngjesit, saktësisht para orës 09:00.

Ky ndryshim vjen si reagim i drejtpërdrejtë ndaj njoftimit të bërë nga Kryeministria në rrjetet sociale, përmes të cilit u konfirmua se ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë një konferencë për media pikërisht në atë orar, lidhur me vrasjen makabre të Arlinda Zekajt.

Aktivistja Liridona Sijarina, në emër të protestuesve ka kërkuar që konferenca e Gërvallës e Sveçlës të mbahet jashtë objektit të ekzekutivit.

“…A po e vendosim që me ja lypë Qeverisë që Konferencën me majt jashtë ose na hyjmë brenda. Nesër para 9-ve takohemi qitu, s’kemi me u dorëzu, s’kemi me u zmbraps pa i marrë përgjigjet definitve dhe pa i pa kërkesat tona të adresume…”, tha ajo para protestuesve.