Arlinda Zekaj, gruaja që u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, katër ditë para vrasjes kishte telefonuar Policinë për t’u ankuar lidhur me moszbatimin e vendimit të Gjykatës për kujdestarinë e fëmijës së saj.
Sipas informacioneve të siguruara nga KALLXO, më 22 tetor, rreth orës 16:00, Zekaj kishte kontaktuar Policinë, por fillimisht ishte njoftuar se nuk kishte në dispozicion automjet zyrtar. Asaj i ishte thënë se Policia do t’i përgjigjej ankesës sapo të siguronte një automjet.
Rreth orës 17:10, Policia ishte pajisur me automjet zyrtar dhe i ishte përgjigjur thirrjes së saj.
Atë mbrëmje, Zekaj e kishte njoftuar Policinë se në shtëpinë e saj ndodheshin persona të tjerë, të cilët, sipas saj, po qëndronin aty pa pëlqimin e saj.
Në shtëpi, zyrtarët policorë kishin takuar nënën e ish-bashkëshortit të saj, kunatin Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e saj, si dhe dy fëmijët e tij.
Në deklaratën e dhënë në Polici, Zekaj kishte shprehur kundërshtimin e saj për qëndrimin e familjarëve të ish-bashkëshortit në shtëpi, pasi konsideronte se ata nuk kishin të drejtë të qëndronin aty.
Sipas informacioneve të KALLXO, ajo kishte deklaruar se në një moment kunati i saj, Albert Sylaj, i ishte drejtuar me fjalët: “Largomu, largomu se t’mys”.
Po ashtu, Zekaj kishte deklaruar se ishte përballur me sulm verbal nga Sylaj, kur kishte tentuar ta merrte digitronin.
KALLXO.com ka mësuar se, me urdhër të prokurores, fillimisht ishte kërkuar përpilimi i një shënimi zyrtar. Ndërkohë, palëve të përfshira u ishte kërkuar që t’i siguronin dhe t’i dorëzonin incizimet nga kamerat e sigurisë të instaluara në shtëpinë e banimit.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet kunati, Albert Sylaj, i cili ende ndodhet në arrati dhe është shpallur në kërkim nga Policia.
Sipas njoftimit të Policisë, viktima kishte raportuar një rast të dhunës në familje në stacionin policor në Pejë rreth orës 19:00 të së dielës, më 25 tetor.
Ajo ishte shoqëruar në stacionin policor, ku ishte intervistuar, e më pas ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Sipas Policisë, Zekaj ishte kthyer në shtëpi me vullnetin e saj.
Pas raportimit për dhunë në familje, bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, sipas deklarimeve të organeve të rendit.
Megjithatë, rreth orës 21:10, pasi Zekaj ishte kthyer në shtëpi, Policia kishte marrë informatën se ajo ishte vrarë.
Sipas të dhënave fillestare të Policisë, dyshohet se vdekja e saj ishte shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë.
