Investigime Kosovë Kronikë Policore Lajme

Detaje nga aktakuza: Jetoni e kishte detyruar Arlindën të hynte në kredi 9 mijë euro, e kishte larguar nga shtëpia dhe ia kishte djegur rrobat

Detaje tronditëse të abuzimit dhe dhunës psikike janë zbuluar nga aktakuza e siguruar nga gazeta Insajderi ndaj Jeton Sylajt. Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri jo vetëm që ushtronte presion ndaj ish-bashkëshortes së tij, Arlinda Zekajt, por e kishte detyruar atë që të merrte kredi bankare.

Në dëshminë e dhënë në polici, e ndjera Arlinda kishte deklaruar se Jetoni e kishte detyruar të hynte në një kredi prej 9 mijë eurosh gjatë periudhës së jetës së tyre mes Kosovës dhe Amerikës, të cilën ajo thoshte se e kishin paguar për dy vite ndërkohë që ajo vuante dhunë psikike.

Sipas dosjes së siguruar nga Insajderi, situata kishte eskaluar kur i pandehuri e kishte dëbuar Arlindën nga shtëpia, duke i marrë të gjitha rrobat e saj, i kishte nxjerrë në oborr në Vitomiricë dhe u kishte vënë flakën, duke e regjistruar madje edhe me video këtë akt për t’ia dërguar asaj si provë të kanosjes. Këto veprime, së bashku me provat materiale dhe deklarimet e dëshmitarëve, janë përfshirë në dosjen e prokurorisë si pjesë e bazës për veprën penale të kanosjes.

“Jetoni më ka detyruar që unë të hy në kredi dhe unë kam marrë kredi 9 (nëntë) mijë euro dhe qe dy vij që jemi duke jetuar Jetoni ushtronte ndaj meje dhunë psikike. Tutje deklaroj se në muajin Dhjetor të vitit 2025 Jetoni më ka telefonuar dhe më ka thënë dil nga shtëpia se ti ski çka lyp aty. Ndërsa unë i kam thënë se ne e kemi ndërtuar shtëpinë së bashku, ndërsa Jetoni më ka kërcënuar me fjalët “kam me t mbyt, kam me t ngre zhag, as ushtria ska me mujt me t hek nga dora ime, më ka fyer me fjalët më denigruese, kurv, kudër, rrugaqe, ki me flejt në sokak, ski me pa djalin nëse jam gjallë une, po ashtu edhe djalit i ka bërë dhunë psikologjike. Pasi unë jam detyruar të dal e kam marrë djalin dhe kam ardhur në Vitomiricë i ka marrë të gjitha rrobat e mira dhe i ka gitur në oborr në Vitomiricë i ka marrë të gjitha rrobat e mijëra dhe i ka qitur në oborr i ka dërguar mua, të cilën edhe e ka bërë video i kall rrobat e mija dhe atë video ma ka dërguar mua, të cilën edhe unë e kam ruajtur dhe me dëshirë e deponoj në polici me vetëdëshirë si provë“, kishte deklaruar tashmë e ndjera Arlindaj Zekaj me 10 korrik 2026 në Stacionin Policor në Pejë.