Komisionin i pavarur për Media i ka lejuar transmetimin eksperimental për “Radion Policia”.
Pas disa ditësh debatesh dhe paralajmërimesh për rrezikun e propagandës shtetërore, Komisioni i Pavarur i Mediave ka votuar me gjashtë vota për lejimin e një transmetimi eksperimental, vendim që lidhet me projektin e shumëdiskutuar për hapjen e Radios së Policisë së Kosovës.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka votuar sot me gjashtë vota PËR lejimin e një kanali eksperimental radiofonik, duke i hapur rrugë projektit të njohur tashmë në publik si “Radio Policia”.
Vendimi vjen pas një debati të ashpër publik për synimin e Policisë së Kosovës që të ketë radiostacionin e vet, një iniciativë që ka nxitur shqetësime për ndikimin politik, propagandën shtetërore dhe shpenzimin e parasë publike.
Vetë Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Nacionalen se prej vitesh ka shqyrtuar idenë e hapjes së një radioje. Sipas institucionit, projekti ka për qëllim promovimin e punës së Policisë në komunitet dhe afrimin e saj me qytetarët.
Mirëpo, ajo që për Policinë paraqitet si projekt për informimin e publikut, nga njohësit e medias po shihet si një precedent i rrezikshëm: krijimi i një mediumi të kontrolluar nga një institucion shtetëror që, për nga natyra e tij, duhet t’i nënshtrohet kontrollit demokratik dhe llogaridhënies publike.
