Gazetari Adriatik Kelmendi ka kritikuar ashpër protagonizmin e Albulena Haxhiut në Kuvend, në një ditë të rëndë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Përmes një postimi, Kelmendi e ka cilësuar sjelljen e saj si arrogante dhe të papërshtatshme, duke shprehur zhgënjimin për mënyrën se si ajo foli për fuqinë e saj teksa diskutohej për vrasjen e një gruaje, të cilën ai e cilëson si viktimë të dështimit të shtetit.
Kelmendi ka rikujtuar se kjo është viktima e shtatë apo e tetë e grave të vrara vetëm gjatë këtij viti, duke e cilësuar situatën si tmerruese. Ai i ka bërë thirrje Haxhiut të tregojë përulësi dhe dhembshuri, në vend të prepotencës, duke theksuar se dështimet e shtetit janë të dukshme.
“Së paku bëhu e përunjur! Trego dhembshuri! Jo prepotencë!”, ka shkruar Kelmendi, duke shprehur zhgënjimin e tij për atë që e cilësoi si një nivel që nuk e kishte pritur kurrë.
Postimi i plotë:
U mata disa herë ta them ose jo, veç ndër gjërat më të neveritshme dhe jo me vend që ka ndodhë në një ditë të rëndë si kjo e sotmja, ishte protagonizmi arrogant i Albulena Haxhiut në Kuvend. E dhimbshme dhe e rëndë për t’u shikuar. Një grua e fuqishme, duke u vetëlavdëruar për fuqinë e saj, derisa debatonte për edhe një grua të pafuqishme të vrarë për shkak të dështimit të shtetit.
E shtata vetëm këtë vit! Ose e teta! Tmerr!
Së paku bëhu e përunjur! Trego dhembshuri! Jo prepotencë! Se dështimet flasin, bërtasin! E ulët! Nuk e kisha pritur kurrë këtë nivel!
