Kosovë Kronikë Policore Lajme

Thirrjet për dorëheqjen e Sveçlës, Nagavci: Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt shumë kompleks

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës është “shumë kompleks”, kur u pyet për përgjegjësinë institucionale.

Nagavci tha pas një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit se do të ndërmarrin “gjithçka që ky rast të adresohet si duhet”.

“Me aq sa e kemi përcjellur, rasti është shumë kompleks. Fatkeqësisht kësaj here e kemi kunatin i cili e ka kryer aktin e vrasjes”, tha ajo.

E pyetur për përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, Nagavci përsëriti se “çështja është shumë komplekse dhe shkon përtej një individi”.

“Personat që nuk kanë vepruar në këtë rast, qoftë prokurorja e rastit, qoftë persona të tjerë përgjegjës, duhet të hetohen e duhet të merren përgjegjës. Por gjithsesi, duhet të keni parasysh, është çështje shumë komplekse dhe shkon përtej një individi, andaj edhe synimi, qëndrimi ynë është që diskutimi të bëhet jo vetëm diskutim në mënyrë profesionale, por të hetohen personat përgjegjës”, tha ajo.

Disa institucione, Nagavci tha se “janë përgjegjëse” dhe “jo rrallëherë” kanë dështuar në raste të tilla.

“Ne e dimë që edhe Qendra për Punë Sociale, por edhe institucionet e tjera përgjegjëse, jo rrallëherë kanë dështuar t’i kryejnë përgjegjësitë dhe detyrat e veta, andaj është një situatë që duhet ta trajtojmë me shumë përgjegjësi”, tha ajo.