Zekaj Tours ka shprehur pikëllimin e thellë për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila për dy vite ishte pjesë e stafit të kompanisë.
Përmes një mesazhi ngushëllimi të publikuar në rrjetet sociale, kompania e ka kujtuar Arlindën si një person të sjellshëm, të respektueshëm dhe me zemër të bardhë.
Në telegramin e ngushëllimit, Zekaj Tours thekson se gjatë kohës sa punoi me ta, Arlinda la kujtime të mira dhe fitoi respektin e kolegëve, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë si pjesë të çmuar të familjes së tyre profesionale.
“Është e rëndë dhe e dhimbshme kur një jetë e re ndërpritet në mënyrë kaq tragjike”, thuhet në mesazhin e kompanisë.
Zekaj Tours u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën Arlindën.
Kompania ka theksuar edhe nevojën për drejtësi, duke kërkuar që rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike të marrin përgjigjet e duhura.
“U prehsh në paqe, Arlinda! Drejtësia duhet të flasë dhe një jetë e humbur kërkon përgjigje”.
Reagimi i plotë:
NGA DHIMBJA DHE MOSBESIMI… 🖤🕊️
Me dhimbje të thellë e pikëllim të madh e mora lajmin për vrasjen e Arlindës, punëtore e Zekaj Tours, e cila për dy vite ishte pjesë e familjes sonë të punës.
Arlinda ishte një njeri i mirë, e sjellshme, e respektueshme dhe me një zemër të bardhë. Gjatë kohës që punuam bashkë, la pas kujtime të mira dhe respekt që nuk harrohen lehtë.
Është e rëndë dhe e dhimbshme kur një jetë e re ndërpritet në mënyrë kaq tragjike. Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura përballë një humbjeje të tillë, kur një njeri që e ke njohur dhe vlerësuar nuk është më mes nesh.
Arlinda, do të mbetesh gjithmonë në kujtimet tona si një njeri i mirë dhe një pjesë e çmuar e familjes së Zekaj Tours.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën.
U prehsh në paqe, Arlinda! 🖤🕊️
Drejtësia duhet të flasë dhe një jetë e humbur kërkon përgjigje.
