Kosovë Kronikë Policore Lajme

Institucionet dështuan ta mbrojnë Arlindën: A ka moral Gërvalla të qëndrojë në krye të mbrojtjes nga dhuna?

Koordinatorja kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, Donika Gërvalla Schwarz, njëherësh Ministren e Drejtësisë në Qeverinë Kurti, akoma nuk ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

E emëruar më 13 mars të këtij viti në krye të kësaj detyre, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se kështu forcohet përkushtimi institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, si një çështje të sigurisë njerëzore dhe të drejtave themelore.

POR, shteti në rastin e Arlindës duket që dështoi!

Dyshimet e mëdha për mospërmbushjen e përgjegjësisë nga institucionet kompetente tashmë kanë dalë në pah, ndërsa Gërvalla çele guri gojën.

Ministre e Drejtësisë ishte ajo që më 10 tetor, pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj nga bashkëshorti në Livoç të Ulët të Gjilanit, kishte deklaruar se institucionet nuk duhet të presin që gratë të vriten për të ndërmarrë veprime.

“Detyrimi ynë është të veprojmë, të parandalojmë dhe të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë”, kishte shkruar ajo, transmeton Klankosova.tv

E pa u bërë një muaj, Kosova u trondit nga rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës, nga kunati i saj.

Rasti bëhet edhe më shqetësues pas raportimeve se viktima kishte kërkuar ndihmë nga organet e rendit vetëm tri ditë para se të vritej. Ky fakt ngre pyetje të rëndësishme për mënyrën se si u trajtua kërkesa e saj dhe nëse mund të ishin ndërmarrë masa për ta parandaluar tragjedinë.