Kosova kalon nga sonte në llogaritjen dimërore të kohës, me ç’rast akrepat e orës do të kthehen një orë pas.
Në natën mes 24 dhe 25 tetorit, në orën 03:00, akrepat do të kthehen në orën 02:00, duke bërë që qytetarët të kenë një orë më shumë gjumë.
Me ndryshimin e orës, mëngjeset do të jenë më të ndritshme, ndërsa errësira do të bjerë më herët gjatë pasdites.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se ndryshimi sezonal i orës mund të ndikojë në orën biologjike të trupit dhe në ritmin e gjumit. Disa ekspertë mbështesin mbajtjen e përhershme të kohës standarde, duke argumentuar se ajo përputhet më mirë me ritmin natyror të organizmit.
Ndërkohë, në Bashkimin Evropian, përpjekjet për t’i dhënë fund ndërrimit sezonal të orës vazhdojnë të mbeten të bllokuara.
Edhe pse Parlamenti Evropian e mbështeti në vitin 2019 propozimin për t’i dhënë fund ndryshimit të orës, shtetet anëtare ende nuk kanë arritur marrëveshje nëse duhet të mbetet përfundimisht ora verore apo ajo dimërore.
KOSOVA FREE VOICE AGENCY- Bota ndryshon. Faktet mbeten!
