Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, duke veçuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Diplomati gjerman vlerësoi se, pas konstituimit të institucioneve dhe formimit të qeverisë me mandat të plotë, Kosova duhet të përqendrohet në vendimet që do të mundësonin përparimin e proceseve të rëndësishme politike dhe integruese.
Duke folur për Asociacionin, Rudolph theksoi se zbatimi i marrëveshjes për një formë të vetorganizimit të komunitetit serb mbetet një nga çështjet ku Prishtina duhet të shënojë përparim.
“Ka edhe hapa të veçantë që mund të ndërmerren nga ana e Kosovës, për shembull, zbatimi i marrëveshjes për krijimin e një forme të vetorganizimit për pakicën serbe. Se si do të realizohet kjo, do ta shohim, por padyshim që ka shumë punë për t’u bërë nga të dyja vendet”, tha Rudolph.
Ai përmendi gjithashtu nevojën për miratimin e legjislacionit që do të hapte rrugën për disbursimin e mjeteve të parapara për Kosovën përmes Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian. Sipas tij, pavarësisht se drejtimi i veprimit është i qartë, përparimi në këto procese ka qenë i ngadalshëm gjatë viteve të fundit.
“Së pari, dua të them se jam shumë i kënaqur që institucionet tashmë janë konfirmuar dhe se vendi ka një qeveri me mandat të plotë. Ky është parakushti i parë që Kosova të ecë përpara. Tani, mendoj se ajo që dëshironi të shihni janë hapa konkretë, për shembull, miratimi i legjislacionit që do të mundësonte disbursimin e fondeve nga Plani i Rritjes për Kosovën. Ky është vetëm një nga hapat që duhet të ndërmerren. Rruga është plotësisht e qartë. Në të njëjtën kohë, qeveria ime e ka konfirmuar këtë në shumë raste dhe do ta rikonfirmojë edhe në Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi. Por, po, është e vërtetë se ky proces ka ecur tepër ngadalë prej disa vitesh”, deklaroi ai për Ekonomia Online.
Rudolph tha se fokusi duhet të zhvendoset nga debatet për arsyet e ngecjes drejt veprimeve që mund ta çojnë procesin përpara. Ai ka kërkuar një angazhim të qartë nga institucionet e Kosovës, duke rikujtuar se edhe Bashkimi Evropian ka përgjegjësi në këtë drejtim.
“Mendoj se nuk ia vlen të diskutojmë arsyet pse ka ndodhur kjo, por duhet të shohim përpara dhe të kuptojmë se si mund ta çojmë procesin përpara për Kosovën. Mendoj se duhet të shohim një angazhim të qartë nga Kosova dhe nga qeveria e saj e sapomandatuar. Gjithashtu, është e vërtetë se ka hapa që duhet të ndërmerren edhe nga ana e Bashkimit Evropian, siç është përcjellja e aplikimit për anëtarësim në Komisionin Evropian, në mënyrë që procesi të mund të vazhdojë”, potencoi ai.
Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ambasadori gjerman ka mohuar se qëndrimi i BE-së duhet të kuptohet si presion ndaj palëve. Sipas tij, të dyja shtetet duhet të vazhdojnë angazhimin në dialogun e ndërmjetësuar nga Unioni.
“Epo, mendoj se nuk bëhet fjalë për presion nga Bashkimi Evropian, por për nevojën që të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, të punojnë në kuadër të këtij procesi, të cilin BE-ja e lehtëson përmes përfaqësuesit të saj të posaçëm. Por ne nuk po ushtrojmë presion”, u shpreh ai.
Si një hap të mundshëm për të dhënë shtysë në dialog, Rudolph përmendi organizimin e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Shikoni, padyshim që kjo është pjesë e procesit të dialogut, të cilin dëshirojmë ta çojmë përpara. Një hap konkret do të ishte, për shembull, mbajtja e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet të dyja vendeve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky do të ishte një hap konkret”, sqaroi Rudolph.
Çështja e Asociacionit është pjesë e dialogut Kosovë–Serbi prej marrëveshjes së parë të arritur në Bruksel më 19 prill 2013. Parimet për themelimin e tij u dakorduan më tej në gusht të vitit 2015, ndërsa obligimet e lidhura me marrëveshjet e dialogut u rikonfirmuan edhe në procesin e vitit 2023, përfshirë Marrëveshjen drejt normalizimit dhe aneksin e saj të zbatimit, të dakorduar në Ohër më 18 mars të atij viti.
KOSOVA FREE VOICE AGENCY- Bota ndryshon. Faktet mbeten!
