Dogana e Kosovës realizoi një aksion kontrolli në Prishtinë, pas pranimit të informatave operative për një biznes që merret me shitjen e telefonave mobilë, ku janë gjetur 113 telefona të dyshuar si të kontrabanduar.
Sipas njoftimit të Doganës, fillimisht është kontrolluar lokali afarist, ndërsa më pas, bazuar në informacionet e siguruara, kontrolli është shtrirë edhe në një banesë pranë biznesit, e cila dyshohet se përdorej për fshehjen dhe ruajtjen e telefonave të kontrabanduar.
Gjatë këtij operacioni, zyrtarët doganorë kanë gjetur telefona të markave dhe modeleve të ndryshme, përfshirë Apple iPhone, Samsung Galaxy, Xiaomi, Redmi, POCO, Google Pixel, OnePlus dhe Huawei.
Sipas Doganës, për pajisjet e gjetura personi përgjegjës nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të tyre, importimin përmes procedurave të rregullta doganore apo pagesën e detyrimeve përkatëse.
“Për të gjithë telefonat e zbuluar, personi përgjegjës nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të mallrave, importimin e tyre përmes procedurave të rregullta doganore apo pagesën e detyrimeve përkatëse doganore”, deklaroi Dogana në njoftim.
Pas aksionit, të gjithë telefonat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana ka bërë të ditur se personi është intervistuar nga zyrtarët kompetentë dhe, me urdhër të prokurorit të rastit, është liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt.

KOSOVA FREE VOICE AGENCY- Bota ndryshon. Faktet mbeten!
