Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten, më 22 tetor, një seancë plenare, e cila pritet të nisë në orën 10:00.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, në rend dite janë përfshirë pesë pika, duke nisur nga miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Po ashtu, në seancë do të votohet propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Më poshtë gjeni rendin e plotë të ditës:
- Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.
- Deklarimet jashtë rendit të ditës.
- Pyetjet parlamentare.
- Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.
- Votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
