Lajme Maqedoni

Kamberi kërkon angazhim të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën

Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, ka bërë thirrje për mobilizim të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, me synimin për të rritur përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi ka thënë se bashkimi i partive politike shqiptare në një listë të përbashkët synon fuqizimin e zërit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe adresimin e kërkesave të tyre ndaj institucioneve të Serbisë.

Ai ka theksuar se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik, ndërsa ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se i paraqet ata si armiq.

Kamberi ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe bashkëvendasit e tyre që jetojnë e punojnë në Kosovë, të marrin pjesë në votime dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar me numrin 17.

“Do të tentojmë tre e më tepër”, ka thënë Kamberi, duke iu referuar synimit për të siguruar më shumë se dy mandate në Kuvendin e Serbisë.

Ai ka kërkuar gjithashtu nga Kosova dhe Shqipëria hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore për Luginën e Preshevës dhe jetësimin e fondit të përbashkët për këtë rajon, për të cilin ka thënë se ishte votuar në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive në Prizren, vite më parë.