Kosovë Lajme

Situata e krijuar, Hamza: Kuvendi nuk është pronë e Kurtit dhe Vetëvendosjes, duhet të konstituohet menjëherë

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me përplasjet që po zhvillohen në Kuvend, duke kërkuar që seanca për konstituimin e Kuvendit të thirret urgjentisht.

Në një reagim në Facebook, Hamza ka thënë se Kuvendi nuk është pronë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar pushtetin për zvarritje të procesit të konstituimit.

“Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje. Pushteti duhet ta thërrasë urgjentisht seancën për konstituimin e tij”, ka shkruar Hamza.

Sipas tij, konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet nga marrëveshjet politike apo interesat elektorale.

Hamza ka akuzuar Kurtin se po e zvarrit procesin për kalkulime politike, duke thënë se vakumi institucional krijon hapësirë për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë.

Ai e ka cilësuar situatën si “kapje brutale të shtetit” dhe “degradim të institucionit të të zgjedhurve të popullit”.

Hamza ka kërkuar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ka bërë thirrje që Kuvendi të konstituohet menjëherë.

“Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet”, ka deklaruar ai.