Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas suspendimit të tre zyrtarëve policorë, të dyshuar për ngacmim seksual dhe kontrollim të paligjshëm, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.
Sveçla ka mirëpritur angazhimin e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për trajtimin e rastit.
“Mirëpres angazhimin e përbashkët të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për hetimin dhe suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të ngacmimit seksual dhe kontrollimit të paligjshëm, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar”, ka deklaruar ai.
Ai tha se nuk do të lejojë që veprimet e individëve të dëmtojnë imazhin e Policisë së Kosovës.
“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që asnjë individ të njollosë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, që me profesionalizëm shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, çdo keqpërdorim i pozitës zyrtare duhet të dënohet pa kompromis.
