Mundësitë që Serie A të fitojë një vend shtesë kualifikues për Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm tashmë duken të vogla, pasi Italia aktualisht renditet në vendin e nëntë në klasifikimin e UEFA-s, pas ndeshjeve të fundit të garave evropiane të zhvilluara në fillim të kësaj jave.
Italia, së bashku me Anglinë, Spanjën dhe Gjermaninë, bën pjesë në mesin e vendeve, ligat e të cilave i kanë të garantuara nga katër vende në Ligën e Kampionëve, por ekziston edhe mundësia që ky numër të rritet në pesë.
Dy vendeve u jepet nga një vend shtesë në Ligën e Kampionëve, i njohur si European Performance Spot.
Për edicionet 2025/26 dhe 2026/27, këto vende iu takuan Anglisë dhe Spanjës.
Ndërkaq, Italia dhe Gjermania i fituan vendet shtesë për sezonin 2024/25, edicionin e parë të garës pas zgjerimit në 36 skuadra.
European Performance Spot u jepet dy vendeve që e përfundojnë sezonin paraprak në krye të renditjes së koeficientit sezonal të UEFA-s për asociacionet.
Në këtë sistem, vendet fitojnë pikë bazuar në paraqitjet e skuadrave të tyre që garojnë në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Secila skuadër merr dy pikë për fitore, një pikë për barazim dhe zero pikë për humbje. Këto pikë përgjysmohen për ndeshjet kualifikuese dhe ato të “play-offit”.
Klubet përfitojnë gjithashtu pikë bonus, varësisht nga pozitat që zënë në përfundim të fazës së ligës, si dhe pikë shtesë për çdo raund që kalojnë më pas.
Pikët e grumbulluara mblidhen dhe pjesëtohen me numrin e klubeve që përfaqësojnë një vend në garat e UEFA-s gjatë atij sezoni.
Në situatën aktuale, Italia renditet në vendin e nëntë në koeficientin sezonal të UEFA-s për asociacionet. Renditja u përditësua për herë të fundit të premten, pas ndeshjeve më të fundit të zhvilluara në garat evropiane gjatë ditëve të fundit.
Anglia kryeson renditjen me 6.611 pikë, Portugalia zë vendin e dytë me 6.300, Norvegjia është e treta me 6.200, Gjermania renditet e katërta me 6.142, ndërsa Spanja zë vendin e pestë me 6.125 pikë. Italia aktualisht ka grumbulluar 5.214 pikë.
Anglia – 6.611 pikë
Portugalia – 6.300 pikë
Norvegjia – 6.200 pikë
Gjermania – 6.142 pikë
Spanja – 6.125 pikë
Turqia – 5.900 pikë
Azerbajxhani – 5.625 pikë
Greqia – 5.400 pikë
Italia – 5.214 pikë
Franca – 5.214 pikë
