Kosovë Lajme

Peci reagon ashpër ndaj deklaratave të Haradinajt dhe Krasniqit!

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar sërish në Facebook pasi Dardan Krasniqi, ka aluduar se ai mund të jetë një nga kryetarët e komunave që rrezikojnë të arrestohen.

Peci ka komentuar edhe deklaratën e Daut Haradinajt lidhur me protestën e fundit, ku ky i fundit ka thënë se në mesin e protestuesve kishte pasur edhe persona që “kanë pasur edhe bomba”.

Peci ka reaguar me gjuhë të ashpër, duke i akuzuar kundërshtarët e tij për kërcënime ndaj deputetëve dhe institucioneve, ndërsa pretendon se ata po përpiqen të krijojnë presion ndaj drejtësisë përmes deklaratave publike dhe paraqitjeve në studio televizive.

Në reagimin e tij, Peci paralajmëron se në ditët në vijim do të publikojë të dhëna të tjera për atë që ai e cilëson si krim të organizuar, abuzim me prona dhe zhvatje në sektorin e bujqësisë.

Reagimi i plotë i Faton Pecit:

“Paramendoni… çfarë kriminelash!

Paralajmërojnë gjakderdhje, tregojnë se kanë qenë të armatosur deri në dhëmbë, bëjnë shantazh ndaj institucioneve e kërcënim direkt ndaj të zgjedhurve të popullit, ndërsa nëpër studio të shitura e të shitshme televizive synojnë të krijojnë kauza e presion ndaj institucioneve të drejtësisë.

Thonë: ne ju vrasim, bile ja ku i kemi bombat, mandej nga frika e ndërhyrjes së mekanizmave të drejtësisë tentojnë të bëjnë paralele… një kryetar komune, ish-ministër, do të arrestohet sepse vëllai i një deputeti paska përfunduar në listën për fituesit e granteve (edhe pse nuk ka përfituar asnjë cent).

Çfarë kriminelash!

Në ditët në vijim, sikur kam bërë gjatë krejt kohës si ministër, do ta rishpalos prapë krimin e organizuar, abuzimet me pronat e zhvatjet që kanë ekzistuar në sektorin e Bujqësisë.

Do t’ju vizatoj ashtu si jeni: lakuriq.

Dhe, a e dini pse? Sepse, e para, edhe s’kam fije konsiderate për ju, edhe nuk ua kam frikën.

Dhe, e dyta – e më e rëndësishmja – unë e dua këtë Kosovë të bekuar, jo si plaçkë, por si vendi im i shenjtë, që nuk guxon të vidhet, të blihet e të shitet.”