Çmimet e karburanteve në Zvicër janë rritur sërish pas një periudhe të shkurtër pauze. Benzina dhe nafta janë shtrenjtuar së fundmi me pesë centë për litër, sipas shifrave të fundit të Touring Club Switzerland (TCS).
Çmimi mesatar i një litri benzinë pa plumb 95 është rritur me 2.4 për qind krahasuar me javën e kaluar, duke arritur në 2.16 franga zvicerane (CHF). Ndërkaq, benzina pa plumb 98 tani kushton 2.27 franga për litër, që përfaqëson një rritje prej 2.3 për qind, raporton Swissinfo.
Edhe nafta është shtrenjtuar sërish. Çmimi mesatar i saj është rritur me 2.1 për qind, duke arritur në 2.45 franga zvicerane për litër. Kjo do të thotë se çmimi aktual është vetëm një cent më i ulët se niveli më i lartë vjetor prej 2.46 frangash, i regjistruar në mesin e shtatorit.
Pas rritjeve të ndjeshme të çmimeve gjatë shtatorit, karburantet patën shënuar një rënie të lehtë për një periudhë të shkurtër. Luhatjet e çmimeve i atribuohen, ndër të tjera, situatës së tensionuar në tregjet ndërkombëtare të karburanteve.
Kësaj situate i shtohen edhe problemet e transportit në Zvicër, pasi niveli i ulët i ujit në lumin Rain po i bën importet më të shtrenjta.
Varësia e Zvicrës nga lëndët djegëse fosile
Ndërkohë, çmimet në tregjet ndërkombëtare të naftës shënuan një rënie të lehtë të premten. Një fuçi nafte bruto Brent e Detit të Veriut kushtonte rreth 105 dollarë në orët e mëngjesit.
Megjithatë, ky çmim mbetet dukshëm më i lartë se ai i regjistruar para fillimit të luftës në Iran, në fund të shkurtit, kur një fuçi nafte kushtonte rreth 72 dollarë.
Ndryshimet në tregun ndërkombëtar të naftës zakonisht kërkojnë pak kohë derisa të reflektohen në çmimet e karburanteve në pompat e benzinës në Zvicër.
