Kosovë Lajme

Gërvalla nuk merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë ku u themelua Grupi Punues për ish-krerët e UÇK-së

Qeveria e Kosovës sot ka themeluar Grupin Punues për çështjen e Apelit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një hap kaq të rëndësishëm që mori Qeveria, ka munguar zv.kryeministrja e dytë dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

Si ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla ishte kritikuar edhe për heshtjen e saj ndaj vendimit të Speciales për ish-krerët e UÇK.

Madje në një konferencë gjysmë orëshe që Gervalla e mbajti javë më parë, ajo iu ishte drejtuar ish-krerëve të UÇK-së si “të dënuar, të akuzuar” dhe kishte hezituar t’i thoshte edhe tri shkronjat, UÇK.

Ndërkohë kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, bëri të ditur se grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

“Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë duhet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët. Për këtë arsye, sot po themelojmë Grupin Punues të Kryesuar nga Konjufca”, tha Kurti.