Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka mohuar se janë kryer bastisje në këtë objekt pas raportimeve në media se zyrtarë të saj janë ndaluar nga Policia e Kosovës.
“MASH sqaron se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se ky informacion është i pavërtetë dhe se në ambientet e saj nuk ka pasur bastisje”.
Ministria ka kërkuar nga mediat që të publikojnë demantin, ndërsa tha se puna në këtë ministri po zhvillohet normalisht.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës thekson se puna në institucion po zhvillohet normalisht dhe se të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat institucionale po realizohen sipas planifikimeve të përcaktuara”.
Edhe Policia e Kosovës në një përgjigje pak më herët për Gazetën Express mohoi se kanë zhvilluar ndonjë aksion në këtë ministri.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë zhvillim/rast të realizuar sot nga Policia e Kosovës, në ministrinë të cilës iu keni referuar”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.
