Dren Paca do të jetë ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga kjo pozitë. Por, përpara se të marrë përkohësisht drejtimin e një prej institucioneve kryesore të drejtësisë në vend, dikur Paca ishte shfaqur në një fotografi duke darkuar me persona që u arrestuan në raste të ndryshme penale.
Në fotografi, Paca shihej në të njëjtën tavolinë me Sami Mazrekun, ish-drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), i cili u arrestua nën dyshimet për keqpërdorime, dhe Venhar Hanën, ish-avokat i BKS-së, i cili po ashtu ishte arrestuar më herët në një rast që lidhet me dyshime për falsifikim të dokumenteve.
Në fotografinë, e cila ishte publikuar në rrjete sociale dhe më pas ishte raportuar nga mediat, Paca shihej duke darkuar e duke i cakërruar gotat me Mazrekun e Hanën. Në të njëjtën tavolinë shihet edhe aktori Ilir Prapashtica, si dhe një person tjetër.
Fotografia ishte rikthyer në vëmendje pas arrestimit të Mazrekut, pikërisht për shkak të marrëdhënies së mëhershme mes personave që shihen në të. Mazreku, ish-drejtor në BKS, ishte arrestuar në një aksion të Prokurorisë Themelore në Prizren, nën dyshimet për keqpërdorime në janar.
Ndërkaq, Hana ishte arrestuar rreth gjashtë muaj më herët në një rast që lidhet me dyshime për falsifikim të dokumenteve të pronës prej rreth katër hektarësh të ish-Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), në Veternik.
Paca kishte kaluar në Prokurorinë Speciale në vitin 2020, kur Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte promovuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Vendimi ishte marrë më 29 tetor të 2020-së.
Në maj të vitit 2021, KPK-ja kishte vendosur që Paca të ndiqte studimet pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara për vitin akademik 2021–2022. Ai kishte fituar bursë në kuadër të Legal Education Scholarship Program, të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë në bashkëpunim me KPK-në.
Studimet për master i kishte ndjekur në Wake Forest University, në Winston-Salem, North Carolina. Pas përfundimit të studimeve, Paca ishte kthyer në detyrën e prokurorit të shtetit.
Ai figuron edhe në listën e Akademisë së Drejtësisë si prokuror i Prokurorisë Speciale dhe trajner në fushën e drejtësisë penale, në aspektin material dhe procedural.
Në vitin 2024, Paca ishte një nga trajnerët në një program për strategjinë e hetimit dhe masat e veçanta hetimore, të organizuar në bashkëpunim me US-DOJ/OPDAT.
Ndërsa në vitin 2025, ai ishte angazhuar në trajnimin e prokurorëve të sapoemëruar për pjesën e përgjithshme të Kodit Penal, si dhe në trajnimin “Shkathtësitë ligjore dhe gjyqësore”, ku fokusi ishte në hulumtimin juridik, shkrimin ligjor dhe arsyetimin juridik.
Tash, Paca do të marrë përkohësisht drejtimin e Prokurorisë Speciale, pas shkarkimit të Blerim Isufajt. KPK-ja e ka shkarkuar Isufajn me gjashtë vota për dhe një kundër.
Shkarkimi ishte arsyetuar me katër pika: keqmenaxhimin e Prokurorisë Speciale, jokompetencën në ushtrimin e funksionit, dështimin në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, si dhe mospërmbushjen e standardeve të kërkuara të performancës.
