Reuters ka raportuar për pezullimin nga detyra të Vlora Hysenit, udhëheqëses së shërbimit sekret të vendit dhe urdhrit që ajo të vendoset në arrest shtëpie, nën dyshimin për zbulim të informacionit të klasifikuar, në kuadër të një hetimi më të gjerë për korrupsion, njoftoi të martën një zyrë e posaçme e prokurorisë.
Vlora Hyseni, e cila është me origjinë nga Kosova, ka shërbyer si drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) që nga viti 2023. Më parë, ajo ka shërbyer si zëvendësdrejtuese e shërbimit inteligjent në Kosovë.
Prokurorët thanë se Hyseni dyshohet se u ka zbuluar persona të paautorizuar informacione të klasifikuara në lidhje me një rast korrupsioni në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila menaxhon shërbimet publike digjitale dhe infrastrukturën e teknologjisë së informacionit në Shqipëri. Zyra e Posaçme e Prokurorisë, e njohur si SPAK, ka kohë që po e heton këtë rast.
Hyseni nuk ka qenë e arritshme për koment.
Shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë janë arrestuar ose janë nën hetim për keqpërdorim të parave publike në AKSHI.
SPAK-u, i cili merret me rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, tha se masat ndaj Hysenit janë miratuar nga një gjykatë kundër korrupsionit për të mundësuar vazhdimin e hetimeve.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se tashmë e ka liruar Hysenin nga detyra dhe se, në konsultim me presidentin, do të emërojë një drejtues të ri të shërbimit inteligjent.
“Çdokush është i pafajshëm derisa të merret një vendim përfundimtar i gjykatës, por askush nuk është mbi ligjin”, shkroi Rama në X.
Ky zhvillim përbën një tjetër goditje për qeverinë e Ramës. Në shkurt, Rama shkarkoi zëvendëskryeministren e tij, Belinda Balluku, pasi ndaj saj u ngritën akuza për korrupsion. Më vonë, Kuvendi refuzoi t’ia heqë imunitetin për t’i mundësuar arrestimin. Balluku i ka mohuar akuzat.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian i thanë Reuters se po e ndjekin nga afër mënyrën se si Rama po i trajton rastet e korrupsionit dhe se lufta e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit është thelbësore për përpjekjen e vendit për t’iu bashkuar bllokut deri në vitin 2030.
