Kosovë Lajme Politikë

Kurti: Nevojitet strategji shtetërore për reagim ndaj verdiktit të Speciales, Qeveria do të ofrojë çdo mbështetje

Kryeministri Albin Kurti nga Amerika ku po qëndron për vizitë, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së.

Ai thotë se ky verdikt është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, Kurti ka thënë se do të bashkëpunojnë me aleatët ndërkombëtarë dhe do të angazhohet pandërperë në mbrojtjen e luftës çlirimtare përballë propagandave të Serbisë.

“Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërperë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë”, ka shtuar tutje ia.