Kosovë Lajme

Kushtetuesja bashkoi dy lëndët e PDK-së, sot përfundon afati për komentet e deputetëve (Dokument)

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur t’i bashkojë për shqyrtim dy kërkesat e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, të regjistruara me numrat KO256/26 dhe KO258/26.

Sipas njoftimit të Gjykatës, dokumentin e së cilës e ka siguruar Gazeta Express, kërkesa KO256/26 lidhet me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të 9 shtatorit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, vendimit procedural të 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimit të 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit.

Ndërkaq, kërkesa KO258/26 ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të 13 shtatorit për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se më 15 shtator ka vendosur që kërkesa KO258/26 t’i bashkohet kërkesës KO256/26 dhe që të dyja të shqyrtohen në një procedurë të përbashkët.

Në kuadër të procedurës, Gjykata ka kërkuar që kopjet e kërkesave t’u shpërndahen të gjithë deputetëve të Kuvendit, të cilët kanë mundësi të paraqesin komente me shkrim deri më 18 shtator 2026 (sot).

Po ashtu, deri në të njëjtën datë, deputetëve u është kërkuar të dorëzojnë edhe dokumentet relevante që lidhen me objektin e këtyre çështjeve.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese u është përcjellë deputetëve më 15 shtator nga Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit