Kosovë Lajme

Avokati Misetiq: Pretendimi për përfshirje të Thaçit në vrasjen e Behajdin Allaqit bazohet në prova jashtëzakonisht të dobëta

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetiq, tha se pretendimi i Trupit Gjykues mbi përfshirjen e Thaçit në vrasjen e Behajdin Allaqit ka bazë në prova, siç tha ai, jashtëzakonisht të dobëta.

Misetiq këtë e quajti si një “tjetër mohim” të të drejtave themelore.

“Pretendimi se Hashim Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit bazohet në prova tmerrësisht të dobëta, prova të cilat gjyqtarët e trupit gjykues kanë urdhëruar që të mos i nënshtrohen kurrë shqyrtimit publik. Ky është një tjetër mohim i të drejtave themelore të z. Thaçi, çështje kjo e vënë në pikëpyetje edhe nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, veçanërisht sa i përket mungesës së transparencës së kësaj gjykate dhe të drejtës për një gjykim publik”.

Avokati kroat më herët ka thënë se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Trupit Gjykues ndaj Thaçit meqë janë bërë gabime të rëndësishme në ligj dhe në vlerësimin e fakteve.